Turqi, hapet salla e re e koncerteve e Orkestrës Simfonike Presidenciale

Duke folur në ceremoninë e inaugurimit, presidenti Recep Tayyip Erdoğan, tha se ndërtesa e Orkestrës Simfonike Presidenciale do të shërbejë si një simbol i kulturës dhe artit të pasur të vendit

Sot në kryeqytetin e Turqisë, Ankara, u hap salla e koncerteve e Orkestrës Simfonike Presienciale, raporton Anadolu Agency (AA).

Duke folur në ceremoninë e inaugurimit, presidenti Recep Tayyip Erdoğan, tha se ndërtesa e Orkestrës Simfonike Presidenciale do të shërbejë si një simbol i kulturës dhe artit të pasur të vendit.

“Gjatë mandatit tonë, Turqia u çlirua jo vetëm në politikë, ekonomi dhe mbrojtje, por gjithashtu në kulturë, art, muzikë, letërsi”, tha Erdoğan.

Ai vazhdoi duke thënë se salla e re e koncerteve do të bëhet një pikë referimi e kryeqytetit.

Salla ndodhet në zemër të qytetit me një pamje drejt Kalasë historike të Ankarasë dhe Mauzoleut Anitkabir.

Projekti u përfundua me një kosto prej 83 milionë eurosh.

Objekti do të presë orkestrat dhe solistët më të respektuar nga e gjithë bota.

Salla pritet të mahnisë artdashësit me koncertet e saj në muzikë klasike dhe zhanre të tjera.

Sopranoja me famë botërore Angela Gheorghiu dhe motrat binjake dhe pianistet Güher dhe Süher Pekinel do të performojnë në një koncert sot dhe të premten në sallë.

Të shtunën, pianistja me famë botërore Idil Biret do të takojë admiruesit e saj.

Buşra Kayıkçı, një nga përfaqësueset e reja të muzikës neoklasike në Turqi, do të japë gjithashtu një recital më 5 dhjetor.

Çmimet e biletave për sezonin e koncerteve 2020-21 janë caktuar dhe janë në shitje.

Kategoritë
BotaLajme