Franca kërkoi zgjedhje të reja në Veri, cilat janë mundësitë tjera pasi opsioni përmes peticionit u dogj?

Votimi për shkarkimin e kryetarëve shqiptarë në katër komunat veriore të Kosovës, që u organizua nga KQZ të dielën që lamë pas, dështoi pas thirrjeve të Listës Serbe për bojkot. Një ditë më pas, Franca kërkoi që në veri të “organizohen shpejt” zgjedhje atje. Pasi mundësia përmes peticionit u dogj, cilat janë mënyrat tjera për të shpallur zgjedhje të reja? 

Përfaqësuesi i Francës në OKB kur foli të hënën në seancën e Këshillit të Sigurimit tha se zgjedhjet në Veri duhet të organizohen shpejtë. Ai shtoi se tërheqja e kryetarëve të zgjedhur me vetëm 3 për qind të votave do të ishte alternativa më e shpejtë për rivendosjen e demokracisë përfaqësuese në Mitrovicë të Veriut, Leposaviq, Zubin Potok e Zveçan.

“Zgjedhjet duhet të organizohen shpejt në veri të Kosovës, me pjesëmarrjen aktive të të gjitha komuniteteve, për të zgjedhur kryetarët e rinj. Në këtë pikë, Franca kujton se tërheqja e kryebashkiakëve të zgjedhur me vetëm 3% të votave të popullsisë së regjistruar do të ishte alternativa më e shpejtë për rivendosjen e demokracisë përfaqësuese në katër bashkitë veriore, si dhe një gjest de-përshkallëzimi” tha ai.

Pastaj, kërkesa u përsërit edhe nga Presidenti Emmanuel Macron kur foli në telefon me Kryeministrin Kurti parëmbrëmë.

Një mundësi për largimin e kryetarëve shqiptarë u çua dëm pas bojkotit të votimit të 21 prillit nga Lista Serbe dhe qytetarët serbë në katër komunat veriore.

Eugen Cakolli nga KDI tha për Express se është e qartë se kryetarët aktualë nuk do të mund të largohen përmes peticionit qytetar, pasi pas një viti pritet që të ketë zgjedhje të rregullta lokale.

“Pas dështimit të referendumit për largimin e kryetarëve në katër komunat veriore, tashmë realisht ka fare pak, për të mos thënë nuk ka rrugëdaljet ligjore, për përfundimin e parakohshëm të mandatit të kryetarëve të komunave në veri të vendit. Kjo vlen veçanërisht për shkak të mënyrës së rregullimit ligjor se si përfundohet mandati i tyre. Në radhë të parë, me dështimin e referendumit tashmë është më se e qartë se kryetarët nuk do të mund të largohen përmes peticionit qytetar deri në përfundim të mandatit meqenëse periudha njëvjeçare që parashihej me Udhëzimin Administrativ i bie të skadojë në vitin e ardhshëm, pikërisht në kohën kur do të jetë e shpallur data e zgjedhjeve, që do të thotë se në gjashtë muajt e fundit të mandatit mund të kemi zgjedhje.

Pasi opsioni përmes peticionit u dogj, Eugen Cakolli nga KDI tregon se cilat janë mënyrat tjera për shpalljen e zgjedhjeve të reja, të cilat i kërkoi Franca.

“Megjithatë, opsion por që është më shumë kategori morale, është mundësia e dhënies së dorëheqjes dhe kjo mund të bëhet besoj vetëm në rast të ndonjë marrëveshje më të madhe politike për shkak se po të kishte pasur vullnet për dorëheqje nga ana e kryetarëve ose nga ana e ekzekutivit nuk besoj që do të kishte arritur puna deri tek dështimi i referendumit. Në anën tjetër ekzistojnë edhe dy rrethana tejet specifike prej të cilave njëra është ndërrimi i vendbanimit të kryetarëve në një komunë tjetër, pra që do ta evitonte në njërën anë nevojën e dorëheqjeve dhe në anën tjetër do të mund të ishte një formë që kryetarët me vetë dëshirë marrin statusin e vendbanimit në një komunë tjetër të Kosovës. Dhe tjetra është mosparaqitja në vendin e punës për më shumë se një muaj pa arsye”, tha Cakolli në një bisedë me Gazetën Express.

Ai shtoi se duke e parë diskursin e përgjithshëm mbi këtë temë, është “vështirë e besueshme” që do të ketë ndonjë rrethanë që kryetarët të përfundojnë mandatin.

“Nga ajo çfarë kemi parë deri tani, diskursin e përgjithshëm që mbizotëron në raport me këtë temë, është vështirë e besueshme që do të mund të kemi çfarëdo rrethane që do të nënkuptojë përfundim të mandatit të kryetarëve. Sidoqoftë, duke e ditur se edhe BE’ja si një prej kërkuesve kryesorë të një mundësie të tillë, veçse do të hyjë në një proces zgjedhor gjatë verës së këtij viti, që do të thotë se do të ketë më pas fokus të Bashkimit Evropian në raport me Kosovën”, deklaroi ai.

Cakolli tha për Express se “me shumë gjasë” Erden Atiq, Lulzim Hetemi, Izmir Zeqiri dhe Ilir Peci do ta përfundojnë mandatin e tyre, përveçse do të ketë ndonjë “një dakordim më të madh politik”.

E vështirë në këto rrethana sipas Cakollit do të jetë edhe formimi i asociacionit, i cili thotë se sipas marrëveshjeve në fuqi parashihet që kuvendi i Asociacionit të përbëhet prej anëtarëve të kuvendeve komunale të komunave me shumicë serbe e tani për tani shumicën e mban komuniteti shqiptar apo komunitetet tjera joshumicë.

“Kësisoj, unë vlerësoj që me shumë gjasë këta kryetarë do ta përfundojnë mandatin e tyre përveç nëse kemi një dakordim më të madh politik e që do ta zgjidhte edhe ngërçin politik në raport me kuvendet komunale për shkak se në kohët e fundit nuk ka ndonjë mekanizëm, përveç largimit përmes dorëheqjes, andaj me kompozicionin aktual të tyre ku shqiptarët dominojnë do të jetë shumë e vështirë të përmbyllet mandati dhe sidomos të synohet çfarëdo forme e themelimit të asociacionit duke e ditur që sipas marrëveshjeve në fuqi për themelimin e asociacionit parashihet që Kuvendi i Asociacionit të përbëhet nga anëtarë të kuvendeve komunale të komunave me shumicë serbe e tani për tani shumicën e mban komuniteti shqiptar apo komunitetet tjera joshumicë” thotë Cakolli

“Unë besoj që të gjitha këto çështje janë të ndërlidhura mes vete dhe pa ndonjë marrëveshje më të madhe politike në të cilën përfshihet edhe themelimi eventual i asociacionit nuk pres që do të ketë zgjidhje politike të situatës në fjalë e që mund të rezultojë lehtësisht edhe në prolongim të situatës deri në pikën ku asociacioni do të themelohej kah fundi i vitit të ardhshëm, tek pas konstituimit të institucioneve lokale si derivat i zgjedhjeve të rregulla lokale që do të duhej të mbaheshin në pjesën e dytë të vitit të ardhshëm, përkatësisht diku mes muajve gusht apo tetor”, shtoi ai.

Qytetarët serbë në Veri e bojkotuan votimin pasi, më 7 prill kryetari i Listës Serbe, Zlatan Elek, doli në një konferencë për media dhe dha lajmin për mospjesëmarrjen në votimin e 21 prillit. Ai e konsideroi “jolegjitim” këtë votim, pasi sipas tij kryeministri Kurti “bëri gjithçka që referendumi të mos ketë sukses”.

Pasi dështoi votimi, Lista Serbe tha se ishin të gatshëm të ndërrojnë kryetarët, por nuk donin të bëheshin “pjesë e lojës së regjimit në Prishtinë”.

Votimi për shkarkimin ose jo të kryetarëve aktualë në Verit parashihej të ishte hapi i fundit për shpalljen e zgjedhjeve të reja. Atij i parapriu mbledhja e nënshkrimeve të peticionit. Të gjitha procedurat u parapanë përmes një udhëzimi administrativ që e hartoi MAPL verën e kaluar për t’i hapur rrugë zgjedhjeve të reja në Veri, pas kërkesës së ndërkombëtarëve për zgjedhje

Kategoritë
LajmeVendi