Shqipëria me masa të reja kundër COVID-19, pezullohen fluturimet me Britaninë e Madhe

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, tha se pas analizës së situatës epidemiologjike në vend dhe mutacionit të ri të shfaqur, ka vendosur të rekomandojë marrjen e masave të shtuara në mbrojtje të shëndetit publik

Komiteti Teknik i Ekspertëve në Shqipëri ka vendosur për zbatimin e masave të reja kundër përhapjes së koronavirusit të ri (COVID-19), raporton Anadolu Agency(AA).

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, në në një deklaratë për mediat tha se pas analizës së situatës epidemiologjike në vend dhe mutacionit të ri të shfaqur nga SARS Cov 2 ka vendosur të rekomandojë marrjen e masave të shtuara në mbrojtje të shëndetit publik nga përhapja e infeksionit SARS-CoV 2.

“Nga të dhënat e deritanishme të Qendrës Europiane të Kontrolllit të Sëmundjeve (ECDC) mbi variantin e ri SARS-CoV 2 të identifiluar në Britaninë e Madhe, jemi informuar se autoritetet e Britanisë së Madhe dhe vendet e Bashkimit Europian (BE) po kryejnë hetimë virologjike për të vlerësuar më tej impaktin e këtij varianti të ri. Qendra Europiane të Kontrollit të Sëmundjeve vlerëson se ky mutacion i ri i SARS-CoV 2 është më i transmetueshëm se variantet që kanë qarkulluar më parë. Rritja e transmetueshmërisë çon në rritjen e gjasave për përhapje më të shpejtë”, tha Manastiruliu.

Më tej gjatë fjalës së saj, Manastirliu duke folur për masat e marra nga Shqipëria tha: “Duke marrë në konsideratë rekomandimet e Komitetit Teknik, për të kufizuar më tej riskun e përhapjes së infeksionit si dhe riskut të lartë të shkaktuar nga varianti i ri i Sars Cov2, kemi vendosur: Pezullimin e fluturimeve me Britaninë e Madhe, duke filluar nga ora 06:00 e ditës së martë, datë 22 dhjetor, deri më datë 06 janar. Po ashtu vendoset masa e karantinës së detyrueshme 14-ditore për qytetarët që hyjnë nga Britania përmes rrugëve të tjera. Vendosja e izolimit të detyrueshëm 14-ditor vjen si një masë paraprake, për të shmangur këtë infeksion apo mutacion të ri të Sars-Covi2″.

Duke folur për situatën e krijaur në vend nga COVID-19, Manastirliu theksoi se pas analizës së situatës nga Komiteti i Ekspertëve përsa i përket të dhënave epidemiologjike në përfundim të javës së 51-të të epidemisë, nga vlerësimi i kryer mbi baza dinamike në dy javët e fundit rezulton një incidencë, 359 raste për 100 mijë banorë.

“Vlerësohet se përqindja e shtretërve të zënë në spitalet Covid në këtë javë, në dy javët e fundit është 63.7% dhe përqindja e shtretërve të zënë në reanimacione në spitalet Covid është 25.3%. Pra ashtu sikurse e përmendëm, ekspertët vlerësojnë se situata deri sot paraqet qëndrueshmëri, duke vlerësuar kështu edhe impaktin e masave të marra deri tani, të reflektuara sigurisht në këtë situatë. Por kjo situatë ka ende nevojë të vlerësohet në mënyrë dinamike, pasi zbatimi i masave nga të gjithë mbetet thelbësor në kufizimin e përhapjes së këtij virusi”, tha Manastirliu.

Duke qenë se Shqipëria ka hyrë në një periudhë të festave, bazuar në vlerësimin e riskut që sjellin grumbullimet dhe shtimi i kontakteve, pas kësaj analize të situatës, ministrja Manastirliu theksoi se janë marrë edhe disa vendime të tjera.

“Është vendosur: Kufizimi i lëvizjes së popullatës nga ora 20:30 deri në orën 06:00 të mëngjesit, duke filluar nga data 24 dhjetor deri në datën 4 janar; Prej datës 5 janar kufizimi i lëvizjes rikthehet në orën 22:00, sipas specifikave që tashmë të gjithë i njohim; Kufizimin e aktivitetit të bareve dhe restoranteve, fast-food, lokale, që ofrojnë shërbim për klientët nga ora 20:30 deri në orën 06:00; Prej datës 5 janar kufizimi i aktiviteteve të bareve dhe restoranteve rikthehet në orën 22:00; Është rekomanduar për të gjithë qytetarët që të shmangin udhëtimet jothelbësore si dhe aktivitetet jothelbësore.

Të gjitha këto masa që kemi marrë, që kemi vendosur së bashku me të gjithë rekomandimet e Komitetit Teknik të Ekspertëve, do të rivlerësohen në mënyrë dinamike. Pra, nëse do të jetë e nevojshme dhe do të rivlerësohet situata ashtu sikurse është bërë deri më sot, do të merren masa të reja, apo do të rivlerësohen ato ekzistuese. Gjithmonë me synim për mbrojtjen e shëndetit të popullatës”.

Në Shqipëri aktualisht janë në fuqi disa masa, si mësimi online në universitetet e vendit, ndalimi i grumbullimeve masive, si në teatro, në aktivitetet kulturore dhe sportive.

Kategoritë
BotaLajme