Sentop: Në Shqipëri po zhvillohet një hetim lidhur me FETO-n për pastrim parash

Kryetari i Asamblesë së Madhe Kombëtare të Turqisë (TBMM), Mustafa Şentop, tha se është në dijeni që prokuroria në Shqipëri po zhvillon një hetim për pastrim parash lidhur me organizatën terroriste FETO.

Kryetari i Asamblesë së Madhe Kombëtare të Turqisë (TBMM), Mustafa Şentop, tha se është në dijeni që prokuroria në Shqipëri po zhvillon një hetim për pastrim parash lidhur me organizatën terroriste FETO

Şentop, në ditën e dytë të vizitës dhe takimeve në Shqipëri vizitoi Institutin Yunus Emre në qytetin e Shkodrës ku dha një vlerësim për gazetarët lidhur me takimet që ai ka zhvilluar në vend.

Pasi rikujtoi se këtë vizitë e ka kryer me ftesë të Kryetarit të Parlamentit të Shqipërisë, Gramoz Ruçi, Şentop u informua nga Zafer Kıyıcı, drejtori i Institutit Yunus Emre në Shkodër rreth punimeve që vazhdojnë që nga viti 2012.

Şentop tha se përpos homologut të tij, është takuar edhe me presidentin Ilir Meta dhe kryeministrin Edi Rama, duke shtuar se në këto takime janë vlerësuar marrëdhëniet dypalëshe.

Duke theksuar se gjatë vizitave është shoqëruar nga Ilir Beqaj, kryetar i Grupit të Miqësisë Ndërparlamentare Shqipëri-Turqi, Şentop gjithashtu theksoi faktin që kjo vizitë është kryer menjëherë pas vizitës që kryeministri Rama zhvilloi në Turqi me 6-7 janar dhe marrëveshjes që u nënshkrua atje për bashkëpunimin strategjik të nivelit të lartë.

“Pas këtyre vizitave do të realizohen vizita dhe kontakte në nivele të ndryshme. Shqipëria është vendi ynë mik dhe vëlla. Përafërsisht 30 vite kemi marrëdhënie shumë të afërta dhe marrëdhënie të ngrohta që rriten edhe më shumë në çdo ditë që kalon. Edhe autoritetet e Turqisë edhe autoritetet e Shqipërisë kanë një vendosmëri në këtë çështje”, shtoi Şentop.

Ai bëri të ditur se kanë informacione për strukturimin e FETO-s në Ballkan, kryesisht në Shqipëri, dhe se lidhur me këtë janë marrë disa masa, ndërsa shtoi se këtu ndodhen disa persona që kërkohen nga Turqia.

“Disa prej tyre janë ekstraduar, në një kohë kjo ka ndodhur. Por ne e shprehim se kjo strukturë, organizata terroriste FETO është një organizatë terroriste e gjeneratës së re. Objektivi i parë i saj, përfshirë Turqinë, është të dëmtojë në të gjitha vendet ku operojnë. E dimë dhe e themi që kjo përbën një rrezik nga pikëpamja e sigurisë të atyre vendeve”, tha kryeparlamentari turk, duke shtuar:

“Ka dokumente, informacione që janë zbuluar në Turqi gjatë hetimeve dhe gjykimeve që kemi kryer lidhur me këtë. Ne këto i ndajmë dhe i vlerësojmë me homologët tanë. Edhe në Shqipëri ka persona dhe institucione të konsiderueshme. Është një strukturë e organizuar në kuadrin e kompanive dhe institucioneve arsimore, të medias dhe të shoqërisë civile. Sigurisht që këto ‘struktura legale’ janë struktura që fshehin qëllimet dhe aktivitetet e tyre të vërteta”.

Şentop u shpreh se “një hetim i përpiktë” ka filluar në Shqipëri kundër FETO-s për pastrim parash.

“Kam dijeni se edhe prokuroria shqiptare ka një hetim lidhur me pastrimin e parave për organizatën FETO. Ky është një hetim i përpiktë. Ne e dimë se përderisa ata përdorin të gjitha burimet, veçanërisht burimet ekonomike, për qëllimet e tyre të vërteta, ata gjithashtu përdorin strukturat e tilla si ato arsimore, të medias, OJQ, si një maskë për të fshehur dhe mbuluar aktivitetet e tyre”, theksoi Şentop.

Ai gjithashtu paralajmëroi për rrezikun që e përbën kjo organizatë terroriste, duke shtuar se Turqia vazhdimisht paralajmëron në lidhje me këtë.

“Ne e dimë dhe e besojmë se ata përbëjnë një rrezik shumë serioz kryesisht në Shqipëri dhe në vendet ku ata janë të pranishëm. Në këtë kuptim ne nuk dëshirojmë që edhe vendet të tjera të dëmtohen dhe të pësojnë dëme nga kjo strukturë. Gjithashtu ne i kemi paralajmëruar dhe jemi të kënaqur që vërejmë se ata në parim janë në të njëjtin mendim, por gjithashtu kemi përsëritur se duhet të bëhen ato që janë të nevojshme pa u vonuar shumë”, tha Şentop.

Sentop në Shkodër vizitoi edhe medresenë “Haxhi Sheh Shamia” në Shkodër.

Şentop fali namazin e xhumasë në Xhaminë Qendrore të Shkodrës, ndërsa më pas mori pjesë në drekën e shtruar për nder të tij dhe delegacionit shoqërues nga Ilir Beqaj, kryetar i Grupit të Miqësisë Ndërparlamentare Shqipëri-Turqi.

Kryetari i parlamentit turk po ashtu vizitoi edhe Muzeun Kombëtar të Fotografisë “Marubi”, Memorialin e Hasan Riza Pashës dhe qendrën e Institutit Yunus Emre në Shkodër. (AA)

Kategoritë
LajmeVendi