Mbërrin në destinacion treni i parë bllok i eksportit ndërmjet Turqisë dhe Rusisë

Treni i parë bllok i eksportit ndërmjet Turqisë dhe Rusisë mbërriti të martën në destinacionin e parashikuar në afërsi të Moskës.

I nisur nga kryeqyteti Ankara më 29 janar, treni i parë bllok i eksportit ndërmjet Turqisë dhe Rusisë u ndal në stacionin e fundit në rajonin e Kalugës, pranë Moskës, duke kaluar nga itinerari Baku-Tbilis-Kars (BTK).

Ky tren, i cili transportonte rreth 4.000 elektro-shtëpiake me 15 kontejnerë të ngarkuar në gjithsej 15 vagonë, u prit me ceremoni zyrtare.

Gjatë fjalës së rastit në këtë ceremoni, ambasadori i Turqisë në Moskë, Mehmet Samsar, deklaroi se kontaktet ekonomike formojnë një pjesë të rëndësishme të marrëdhënieve turko-ruse.

“Këto marrëdhënie po vazhdojnë duke u thelluar edhe më shumë në çdo fushë”, tha ai.

Pasi theksoi se po vijojnë edhe përpjekjet për ngritjen e vëllimit tregtar të ndërsjellë në 100 miliardë dollarë, një objektivë i vendosur nga Presidenti Recep Tayyip Erdogan dhe Kryetari i Shtetit të Federatës Ruse, Vladimir Putin, ambasadori turk në Moskë vijoi me këto fjalë: “Hekurudha BTK është njëherësh edhe një element i rëndësishëm i Rrugës së Mëndafshit, prandaj ne jemi të kënaqur që ky eksport i parë u realizua në kuadër të kësaj marrëveshjeje”.

Samsar rikujtoi gjithashtu se treni në fjalë do të jetë një urë miqësie jo vetëm në fushën e eksportit, por edhe ndërmjet popullit turk e atij rus.

Ndërsa nëndrejtori i përgjithshëm i Rrjetit Hekurudhor të Rusisë, Sergey Pavlov, i cili ishte po ashtu i pranishëm në ceremoni, potencoi se treni i parë bllok i eksportit ndërmjet Turqisë dhe Rusisë do të japë kontribute të rëndësishme në tregtinë dypalëshe.

Kategoritë
BotaLajme