LVV deklarohet për takimin me Abdixhikun

Lëvizja Vetëvendosje po synon ta formojë qeverinë, posa të konstituohet javën e ardhshme legjislatura e tetë e Kuvendit të Kosovës. Ani pse nuk u përmendën data, partia e Albin Kurtit është e gatshme të thërras seancën menjëherë kur mandatohet Kurti për kryeministër.

Pas mbledhjes së kryesisë, ish-nënkryetarja e Kuvendit nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci tha se nuk pret probleme për konstituimin e institucioneve, rrjedhimisht edhe presidentit. Për këtë arsye iu bëri thirrje partive parlamentare të reflektojnë dhe ta dëgjojnë vullnetin e qytetarëve në zgjedhjet e 14 shkurtit në Kuvend.

Ndërkohë, anëtarja e kryesisë së LVV-së foli edhe për takimin e mundshëm të premten me kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhikun, për të cilin tha se është në diskrecionin e Kurtit dhe Osmanit, për të zhvilluar takimin ose jo.

Nagavci: Sapo të mandatohet Kurti si kryeministër Lëvizja është gati për formimin e qeverisë

 

“U vendos sipas propozimit të u.d të presidentit që seanca konstituive e legjislaturës së tetë të mbahet me 22 mars, gjegjësisht të hënën në orën 10:00….sapo të vijë letra nga u.d e presidentit për mandatimin e kryeministrit Lëvizja është gati që të thërras seancën. A do të realizohet me datën 25 mbetet të shohim”, tha ai.

Për zgjedhjen e Vjosa Osmanit presidente, Nagavci tha se qytetarët kanë folur qartë në zgjedhjet e 14 shkurtit dhe partitë tjera duhet të reflektojnë mbi këtë.

Nagavci: Subjektet politike të gjitha kanë marrë porosinë e duhur nga qytetarët në zgjedhjet e 14 shkurti

 

“Sa i përket gjitha institucioneve, përfshirë edhe pozitën e presidentit, unë besoj se subjektet politike të gjitha kanë marrë porosinë e duhur nga qytetarët në zgjedhjet e 14 shkurti. Kemi pas dy oferta për pozitën e presidentit, zonjën Osmani dhe zotëri Haradinaj dhe qytetarët në mënyrë demokratike kanë dhënë përgjigjen e tyre me më shumë se 400 mijë vota kanë dhënë mbështetje që zotëri Kurti të jetë kryeministër dhe më shumë se 300 mijë vota që zonja Osmani të jetë presidente. Ky është mesazhi i duhur për të gjitha partitë që të reflektojnë në vullnetin e qytetarëve”, tha ajo.

Lidhur me mundësitë që ajo të jetë kryeparlamentare, Nagavci tha se në Vetëvendosje janë duke shqyrtuar të gjitha pozicionet.

Nagavci: Në Lëvizje jemi duke i shqyrtuar të gjitha pozicionet

 

“Në Lëvizje jemi duke i shqyrtuar të gjitha pozicionet, nuk jemi duke vendosur se kush do të jetë. Unë dhe kolegët do të jemi të gjithë bashkë aty ku mund të kountribojmë më shumë. E rëndësishme është që ekipi i LVV do të jetë shumë profesionist dhe me persona adekuat për secilën nga pozitat”, tha ajo.

Ndërsa, sa i përket mbajtjes së takimit me kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku, Nagaci tha se kjo është më shumë çështje organizative.

Nagavci: Kurti dhe Osmani do t’i shqyrtojnë agjendat e tyre

 

“Kjo është çështje organizative që sigurisht kryetari Kurti dhe zonja Osmani duhet të shqyrtojnë edhe agjendat e tyre”, tha ajo

Kategoritë
LajmeVendi