‘Luftë’ mes Abrashit dhe Veliut, njëri e shkarkon, tjetri e emëron sekretarin në MI

Konflikte kanë shkaktuar në zyrën e Sekretarit të Ministrisë së Infrastrukturës vendimet e fundit të marra nga ministri Arban Abrashi dhe ministrit të Brendshëm në detyrë, Agim Veliu.

Të hënën, Abrashi kishte shkarkuar nga pozita e sekretarit të ministrisë, Izedin Bytyqin, duke e caktuar Zymer Abdullahin.

Megjithatë, vendimi u anulua të nesërmen nga Këshilli Shtetëror për Vlerësim dhe Disiplinim. Ministri i Punëve të Brendshme, Agim Veliu, nënshkroi vendimin për anulim duke thënë se vendimi i Abrashit ishte i kundërligjshëm. Ai vendosi që Bytyqi të kthehet në vendin e tij të punës.

Megjithatë, sot Bytyqi s’ka arritur të hyjë në punë pasi Abdullahu nuk është duke ia lëshuar zyrën.

Siç ka mësuar KOHA, për rastin është njoftuar edhe Policia e Kosovës.

Abrashi e Veliu janë pjesë e Lidhjes Demokratike të Kosovës. Të hënën është raportuar se Abrashi e ka shkaruar nga pozita e sekretarit, Izedin Bytyqin. E gjithë kjo kishte të bënte me faktin se Bytyqi e kishte kthyer në postin e drejtorit të Prokurimit, Nexhat Krasniqin.

 

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreVendi