“India është shndërruar në një vend të rrezikshëm për muslimanët”

Në raportin vjetor të publikuar nga Rrjeti kolektiv i të drejtave të njeriut në Azinë Jugore thuhet se politikat nacionaliste hinduiste të shumicës të ndjekura nga BJP e udhëhequr nga kryeministri Modi, kanë rritur presionin ndaj muslimanëve.

Rrjeti kolektiv i të drejtave të njeriut në Azinë Jugore paralajmëroi se ngushtimi i hapësirës së shoqërisë civile dhe të opozitës në Indi e ka bërë vendin një vend të rrezikshëm për pakicën muslimane, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në raportin vjetor të publikuar nga kjo organizatë me temën “Gjendja e Minoriteteve në Azinë Jugore”, thuhet se politikat nacionaliste hinduiste të shumicës të ndjekura nga Partia Popullore e Indisë (BJP) e udhëhequr nga kryeministri Nerandra Modi, kanë rritur presionin ndaj muslimanëve në vend.

Raporti vuri në dukje se Regjistri Kombëtar i Shtetësisë i përgatitur nga shteti federal vitin e kaluar ka shkaktuar që miliona muslimanë të përballen me rrezikun e “pa shtetësisë”. Nga ana tjetër, sipas raportit, Ligji i Shtetësisë i miratuar rishtazi ka hapur rrugën e shtetësisë për migrantë të paligjshëm nga Afganistani, Pakistani dhe Bangladeshi duke përjashtuar muslimanët, gjë që konsiderohet qëndrim diskriminues.

“Aktorët e shoqërisë civile, avokatët e të drejtave të njeriut, protestuesit, akademikët, gazetarët dhe intelektualët liberalë të Indisë, në të vërtetë kushdo që kundërshton ekstremizmin dhe majorizmin e qeverisë është nën sulm të vazhdueshëm”, thekson raporti.

Në raport u theksua se duke përdorur Ligjin për Rregullimin e Mbështetjes së Huaj si një armë synohen organizatat e të drejtave të njeriut që marrin donacione dhe mbështetje nga organizata prej jashtë.

Duke vënë në dukje se Islamofobia po rritet në shoqërinë indiane, ekspertët përmendën trazirat anti-muslimane që u shfaqën gjatë protestave kundër Ligjit të Shtetësisë në muajin shkurt dhe reagimet ndaj komunitetit Tabligh në muajin mars gjatë karantinës për shkak të koronavirusit të ri (COVID-19).

Kategoritë
BotaLajme