Erdoğan: Në disa vende evropiane islamofobia dhe armiqësia ndaj muslimanëve mbrohet në nivel presidenti

Presidenti turk u bëri thirrje anëtarëve të komitetit COMCEC të “rrisin përpjekjet unike për të lehtësuar presionin e valutës mbi ekonomitë tona, përfshirë përdorimin e valutës vendase për tregti”

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, ka deklaruar se “muslimanët po përballen me një fushatë linçimi dhe urrejtjeje që kryhej para Luftës së Dytë Botërore kundër hebrenjve në Evropë”, raporton Anadolu Agency (AA).

“Në disa vende evropiane islamofobia dhe armiqësia ndaj muslimanëve është shndërruar në një politikë që mbrohet në nivel presidenti”, tha presidenti Erdoğan gjatë një takimi virtual të Komitetit të Përhershëm për Ekonominë dhe Bashkëpunimin Komercial (COMCEC) të Organizatës së Bashkëpunimit Islamik (OIC).

Presidenti turk theksoi se e ardhmja do ta shohë sistemin ekonomik botëror të bazuar në interes të zëvendësuar me pjesëmarrje të bazuar në ndarjen e rrezikut.

“Në këtë rast me rëndësi është të zgjerohet përdorimi i produkteve, të tilla si sukuk (certifikatë financiare islame), për të financuar investime të mëdha afatgjata në infrastrukturë”, tha Erdoğan.

Duke theksuar se vendet anëtare të komitetit COMCEC duhet të marrin masa aktive për të parandaluar që pandemia të dëmtojë tregtinë e jashtme, presidenti Erdoğan tha se “hapat që do të ndërmarrim për të rritur tregtinë midis vendeve anëtare të komitetit COMCEC janë të rëndësishme”.

Ai u bëri thirrje anëtarëve të komitetit COMCEC të “rrisin përpjekjet unike për të lehtësuar presionin e valutës mbi ekonomitë tona, përfshirë përdorimin e valutës vendase për tregti”.

Turqia prej kohësh ka mbështetur përdorimin e valutës vendase në vend të dollarit apo euros për tregtinë ndërkombëtare.

Për përpjekjet për të koordinuar standardet për produktet hallall, në përputhje me standardet muslimane, Erdoğan tha se anëtarët e komitetit COMCEC kanë punuar për këtë ca kohë, por ende nuk kanë arritur koordinimin që ata duan.

“Si vende islame, sa më shumë të prodhojmë, aq më shumë forcojmë ekonomitë tona. Ne duhet të ndërmarrim hapa drejt prodhimit dhe tregtisë me vlerë të shtuar në vend të strukturave të eksportit të bazuara në lëndë të parë ose produkte gjysmë të gatshme”, theksoi presidenti turk.

Kategoritë
BotaLajme