Erdoğan hap spitalin në Qipron Turke të ndërtuar për vetëm 45 ditë

Duke folur në ceremoninë e përurimit të spitalit, presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan tha: “Shenja më e rëndësishme e solidaritetit me TRNC-në është ky spital i urgjencës”

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, sot mori pjesë në ceremoninë e hapjes së Spitalit të Urgjencës në Lefkosa në Republikën Turke të Qipros Veriore (TRNC), transmeton Anadolu Agency (AA).

Duke folur në ceremoninë e përurimit të spitalit, presidenti Erdoğan tha: “Shenja më e rëndësishme e solidaritetit me TRNC-në është ky spital i urgjencës”.

“Ne nuk do ta kishim përfunduar këtë spital për një kohë aq të shkurtër, për 45 ditë, nëse zemrat tona nuk do të ishin të bashkuara me TRNC-në”, shtoi ai.

Duke përmendur mbështetjen e Turqisë për TRNC-në, Erdoğan theksoi se Ankaraja zyrtare ka siguruar ndihma në vlerë prej 149 milionë lira turke (rreth 19 milionë dollarë) gjatë pandemisë së koronavirusit të ri.

“Ne u kemi ardhur në ndihmë vëllezërve tanë në Qipron Turke që nga fillimi i pandemisë. Ne siguruam të gjitha llojet e mbështetjes në fushën e shëndetësisë”, tha ai.

Ai më tej tha se një spital me 500 shtretër do të hapet gjithashtu së shpejti në TRNC.

Erdoğan qëndroi për vizitë në TRNC me rastin e përvjetorit të 37-të të themelimit të vendit.

Qiproja është ndarë që nga viti 1974, kur grushti i shtetit në Qipron Greke u pasua nga dhuna kundër turqve të ishullit dhe ndërhyrja e Ankarasë si një fuqi garantuese.

Kategoritë
BotaLajme

Të ngjajshmet