​Ambasadori amerikan konfirmon mbështetjen për sektorin e arsimit

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovës, Philip Kosnett, ka takuar ministren e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci dhe zëvendësministrin e kësaj ministrie Dukagjin Pupovci.

Ministrja Nagavci e ka njoftuar ambasadorin Kosnett për programin qeverisës, ku objekt strategjik i tij, janë të gjitha fushat e arsimit në Kosovë.

Në këtë takim, u shpreh vullnet për bashkëpunim që nga vlerësimi formativ e deri te ndërlidhja e arsimit me tregun e punës, duke përmendur këtu inkuadrimin e ish bursistëve të mbështetur nga Qeveria Amerikane.

Ambasadori Kosnett ka theksuar se Qeveria Amerikane e mbështet zotimin e Qeverisë së Kosovës që në pozita të rëndësishme të vendosen persona të kualifikuar.

Po ashtu, Ambasadori e ka cilësuar si të nevojshëm edhe krijimin e programeve për mësimin e gjuhëve të komuniteteve.

Në komunikatën për media thuhet se “Ministrja Nagavci theksoi se deri në vjeshtën e këtij viti do të krijohet programi për përfshirjen e profesorëve nga mërgata. Ajo e vlerësoi të rëndësishëm bashkëpunimin me Fakultetin e Edukimit për t’u siguruar që programet e tij synojnë programe cilësore”.

Në takim u diskutua edhe për funksionalizimin e Bordit të KSHC-së, ku Ministrja siguroi se procedura do të jetë transparente.

Ambasadori Kosnett është shprehur i gatshëm për bashkëpunim të afërt në të ardhmen në fushat që janë me rëndësi për zhvillimin e vendit.

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreVendi