Juristët kërkojnë që vettingu të përmbyllet pa vonesa

Ende nuk dihet se kur mund të përmbyllet procesi i ‘vetting-ut’ në drejtësi. Megjithëkëtë, juristët vlerësojnë se ky proces duhet të përmbyllet pa vonesa nga ana e Qeverisë dhe Kuvendi.

Juristët thonë se për përmbylljen me sukses të ‘vetting-un’, është e nevojshme të përcaktohen hapa konkretë të veprimit, në mënyrë që ‘vetting-u’ të mos jetë vetëm një fushatë që do të sillte efekte kontraproduktive.

Të enjten e tetë dhjetorit në Kuvendin e Kosovës u votua për formimin e “Komisionit Ad-hoc për Vetting-un në Drejtësi”,  proces i nisur gjatë vitit nga Ministria e Drejtësisë.

Radio Kosova ka pyetur këtë ministri nëse kanë pritje që gjatë vitit 2023 të përfundojë ‘vetting-u’?

“Është në dorën e Kuvendit se kur do ta përfundojë punën. Gjithsesi, Ministria nga afër do të ndjekë punën e komisionit dhe do të kontribuojë tutje në këtë reformë, qoftë në grupin punues në procesin e udhëhequr nga Kuvendi, po ashtu edhe në ndryshimet e tjera ligjore në kuadër të forcimit të mekanizmave ekzistues”, thuhet në një përgjigje me shkrim nga Ministria e Drejtësisë.

Profesori universitar, Ismet Salihu, thotë se ‘Vettingu në drejtësi’ është i nevojshëm, pasi, sipas tij, përkundër të arriturave, viteve të fundit kanë dalë në sipërfaqe probleme të cilat po pengojnë një sistem më efikas e më kredibil të drejtësisë në Kosovë. Megjithëkëtë, Salihu thotë se gjatë realizimit të këtij procesi duhet pasur kujdes.

“Nuk duhet t’i hyhet ‘vetting-ut’ pa përgatitjet e duhura dhe në formë fushate. Duhet të bëhen përgatitjet e duhura dhe të ndërtohen kriteret të cilat do të zbatohen në rastin e ‘vetting-ut’. Të përcaktohen procedurat që do të respektohen, në mënyrë që ‘vetting-u’ të mos jetë fushatë dhe të ketë efekte kontraproduktive. Gjithashtu, ‘vetting-u’ duhet të përkrahet edhe nga ekspertët ndërkombëtarë”, tha ai.

Juristi Gzim Shala, nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, thotë se përmbyllja e ‘vetting-ut’ pa vonesa të mëtejme është më se e nevojshëm, e për këtë, ai thotë se duhet akoma shumë punë nga Qeveria e Kuvendi.

“Që ‘vetting-u’ të përmbyllet janë edhe disa hapa proceduralë, siç janë; konfirmimi i amendamenteve kushtetuese nga Gjykata Kushtetuese, miratimi i ligjit, hyrja në fuqi, e aspekte të tjera. Për këtë arsye them se nuk e di pse po ndodhin këto lloje hapësirash dhe vonesash në mes të proceseve të caktuara. Pra, që ‘vetting-u’ të përfundohet brenda këtij mandati të Qeverisë, definitivisht duhet proceduar më shpejt dhe jo të shkohet me këtë ritëm”, tha ai.

Që procesi i ‘vetting-ut’ të përmbyllet me sukses janë të domosdoshme ndryshimet e Kushtetuese, për të cilat duhen votat e 2/3 të të gjithë deputetëve, përfshirë edhe 2/3 e votave të komuniteteve pakicë.

Kategoritë
LajmeVendi