Jasharaj: 1 mijë punëtorë do të jenë nesër në protestë, besoj se Qeveria ka marrë “shkollë” nga greva e vitit 2022

Rreth 1 mijë mësimdhënës e punëtorë tjerë do të jenë nesër në protestën e organizuar nga Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës e Kosovës dhe mbështetur nga sindikatat tjera. Kështu ka thënë për Ekonomia Online, kryetari i SBAShK-ut, Rrahman Jasharaj.

Jasharaj shprehet i bindur se Qeveria Kurti ka marrë “shkollë” nga grevat e vitit 2022, për të cilën thotë se nuk duhet të ndodh.

Kryesindikalisti shpreson që Qeveria do t’i plotësojë kërkesat e tyre, në mënyrë që protesta e nesërme të jetë e fundit.

“Numri nuk do të jetë krejt i vogël, ne presim dikund 1 mijë (protestues) sepse kemi shumë shoqata sindikale, pra do të jetë zëri i anëtarësisë sonë. Me 1 maj do të dalim me kërkesa konkrete dhe do t’i bëjmë publike dhe urojmë që pas kësaj proteste të mos ketë nevojë më për protesta e greva por Qeveria të ulet dhe të bisedojë me neve, ngase edhe motoja e protestës është që ‘Qeveri realizo kërkesat tona, parandalo veprime tjera sindikale’. Ne do të takohemi me protestuesit në oborrin e Bibliotekës Kombëtare, pastaj do të vazhdojmë drejtë MAShTI-t për tu kthyer kah katedralja përgjatë sheshit deri te Qeveria dhe do të ketë disa fjalime aty”, ka thënë Jasharaj për EO.

Ndonëse nuk e përmend grevën, Jasharaj nuk e mohon se një gjë të tillë. Ai deklaron se për këtë vendosin punëtorët e arsimit, por që uron që një gjë e tillë të mos ndodhë.

“Unë nuk mund të flasë asgjë sepse për këtë vendosin vetë punëtorët e arsimit përmes organeve të SBAShK-ut por uroj që pas 1 majit Qeveria të ulet me ne të bisedojë sepse unë jam i sigurt se kërkesat tona tepër legjitime dhe mund të realizohen nëse ka vullnet nga Qeveria, vullnet ky deri tani i munguar dhe po them, Qeveria Kurti ka një qasje të gabuar edhe ndaj sindikatave edhe ndaj kërkesave të anëtarësisë”, u shpreh Jasharaj, teksa përmend edhe grevën e vitit 2022, për të cilën thotë se erdhi si rezultat i mosrealizimit të kërkesave të tyre.

“Mendoj, uroj dhe unë besoj se edhe Qeveria ka marrë ‘shkollë’ siç thotë populli nga viti 2022 kur filluam me protesta të vogla e u kthyem me protesta të mëdha, me një orë grevë dhe erdhi fatkeqësisht deri te greva e madhe e shtatorit 2022, që dorën në zemër e kishte goditur goxha shumë sistemin arsimor në Republikën tonë”, deklaroi ai.

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreVendi