Kampuset universitare në të gjithë Shtetet e Bashkuara janë tronditur nga protesta ndërsa përgatiten për ceremonitë e diplomimit, që zakonisht mbahen në muajin maj
Studentët po protestojnë kundër luftës në Gazë, e cila po shkakton një numër gjithnjë në rritje viktimash.
Shumë kampuse ishin kryesisht të qeta gjatë fundjavës me protestuesit që qëndronin pranë kampesh të improvizuara të ngritura si seli për protestat.
Megjithatë në disa kolegje policia i largoi me forcë protestuesit dhe ka arrestuar me qindra studentë.
Studentët kërkojnë që universitetet të ndërpresin lidhjet financiare me Izraelin për shkak të operacionit të tij në shkallë të gjerë në Gazë. Izraeli thotë se qëllimi i tij është shkaterrimi i grupin militant palestinez Hamas.
Të dielën në Universitetin e Kalifornisë në Los Anxhelos, protestues pro-palestinezë e pro-izraelë nga ana tjetër u panë tek bërtisnin e shtynin njëri-tjetrin.
Policia ngriti barrikada përpara se qindra demonstrues nga të dyja anët, të afroheshin në drejtim të njëri-tjetrit, e pranë tendave ku studentë pro-palestinezë kanë qëndruar gjatë gjithë kohës.
Demonstrues pro-izraelitë që mbërritën për një tubim nën moton “qëndroni në mbështetje të studentëve hebrenj”, thanë se qëllimi i tyre ishte “të ngriheshin kundër urrejtjes dhe antisemitizmit”.
Kundër-protesta u organizua nga Këshilli izraelito-amerikan, udhëheqësi i të cilit Elan Carr u kërkoi marshuesve të protestonin në paqe, njoftoi gazeta ‘Los Angeles Times’.
Nuk duam asnjë akt dhune”, i tha zoti Carr turmës ndërsa tubimi mbaroi. “Mos u përplasni. Shkoni drejt makinave tuaja e lëvizni paqësisht”, shtoi ai.
Universiteti përforcoi masat e sigurinë për shkak të “përleshjeve fizike që shpërthyen mes disa demonstruesve”, bëri të ditur në një deklaratë Mary Osako, zëvendëskancelarja për Komunikimin Strategjik e universitetit. Megjithatë nuk pati njoftimeve për arrestime apo plagosje të protestuesve.
Të shtunën rreth 275 persona u arrestuan në kampuse të ndryshme, përfshirë Universitetin e Indianës në qytetin Blumington, Universitetin Shtetëror të Arizonës si dhe në Universitetin e Uashingtonit në Seint Luis. Numri i arrestimeve në mbarë vendin ka arritur në 900 që kur policia e Nju Jorkut u përpoq të largojë një kamp proteste me tenda në Universitetin e Kolumbias, të ngritur nga protestues pro-palestinezë. Më 18 prill policia arrestoi më shumë se 100 demonstrues.
Çështja e studentëve të arrestuar është shndërruar tashmë në epiqendrën e protestave. Studentët dhe një numër në rritje i personelit pedagogjik kërkojnë amnisti për protestuesit. Nuk dihet se çfarë ndikimi do të kenë në ardhmen e studentëve, pezullimet nga shkolla apo arrestimet e tyre.
Anëtarët e fakultetit në Universitetet e Kalifornisë, Xhorxhias dhe Teksasit kanë iniciuar apo kryer procese votimi kryesisht simbolike për të shkarkuar drejtuesit e lartë të universiteteve.
Të dielën zëdhënësi i Sigurisë Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë John Kirby tha se Presidenti Joe Biden ështët në dijeni “të ndjenjave shumë të forta”, por shtoi se menaxhimi i protestave është një çështje që u takon autoriteteve lokale.
“Njerëzit duhet të jenë në gjendje të ofrojnë pikëpamjet e tyre e të ndajnë perspektivën e tyre publikisht, por protestat duhet të jetë paqësore”, tha zoti Kirby për emisionin “This Week” të rrjetit televiziv ‘ABC’.
Në një intervistë që u transmetua të dielën, udhëheqësi republikan i Senatit Mitch McConnell, duke iu referuar protestave tha se “situata është e rrezikshme” dhe ia ngarkoi përgjegjësinë administratorëve të kolegjeve.
“Kam venë re antisemitizëm, gjë që është krejtësisht e papranueshme. U trondita kur pashë diça të tillë, në këtë vend”, tha ai në emisionin “Meet the Press” të rrjetit televiziv ‘NBC’.
Protestat mbarëkombëtare në kampuse filluan nga disa studentë që kundërshtojnë ofensivën e Izraelit në Gazë, një operacion që nisi pasi Hamasi kreu një sulm të përgjakshëm ndaj Izraelit më 7 tetor.
Militantët vranë rreth 1200 persona, shumica prej tyre civilë si dhe morën rreth 250 të tjerë.
Si pasojë e fushatës së Izraelit, që synon shkatërrimin e Hamasit, janë vrarë më shumë se 34 mijë palestinezëve, sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Rripin e Gazës, që kontrollohet nga grupi militant.
Izraeli dhe mbështetësit e tij i kanë cilësuar protestat e studentëve si antisemite, ndërsa kritikët e Izraelit thonë se akuza të tilla po përdoren për të shuar zërat opozitarë. Edhe pse disa protestues janë kapur në kamera duke bërë komente antisemite ose kërcënime të dhunshme, organizatorët e protestave, disa prej të cilëve me origjinë hebreje, thonë se lëvizja është paqësore, kundër luftës në Gazë dhe në mbrojtje të të drejtave të palestinezëve.
Protestat studentore po mbahen në shtete të ndryshme amerikane përfshirë Nju Jorkun, Kaliforninë, Mizurin dhe Masaçusetsin.