BeH dhe Serbia njoftojnë se nuk i njohin referendumet pro-ruse në Ukrainë

Aleksandar Vuçiq, duke bërë të ditur se vendi i tij nuk e njeh referendumin në Ukrainë, tha se “Serbia nuk mund ta pranojë kurrë këtë sepse ne mbështesim ligjin ndërkombëtar dhe rezolutat e Kombeve të Bashkuara”

Bosnjë dhe Hercegovina (BeH) dhe Serbia njoftuan se nuk i njohin referendumet e mbajtura për bashkim me Rusinë në të ashtuquajturat Republikat Popullore Donetsk dhe Luhansk që janë nën kontrollin e separatistëve pro-rusë në Ukrainë dhe në rajonet Kherson dhe Zaporizhzhia nën kontrollin e ushtrisë ruse, transmeton Anadolu Agency (AA).

Kreu i Këshillit Presidencial shtetëror të Bosnjë dhe Hercegovinës (BeH), Shefik Xhaferoviq, në një deklaratë me shkrim vuri në dukje se referendumi separatist i mbajtur në disa rajone të Ukrainës është në kundërshtim me ligjin dhe tha se “Bosnjë dhe Hercegovina nuk do të njohë kurrë referendume të mbajtura në këtë mënyrë”.

Xhaferoviq theksoi se BeH mbështet integritetin territorial dhe sovranitetin e Ukrainës dhe bëri të ditur se do të vazhdojnë këtë qëndrim të tyre.

Edhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, duke bërë të ditur se vendi i tij nuk e njeh referendumin në Ukrainë, tha se “Serbia nuk mund ta pranojë kurrë këtë sepse ne mbështesim ligjin ndërkombëtar dhe rezolutat e Kombeve të Bashkuara (OKB)”.

Edhe Serbia është një vend i cili përpiqet të mbrojë integritetin territorial të saj, pohoi Vuçiq, duke shtuar: “Kjo është një situatë shumë e rëndësishme për ne, përndryshe në të ardhmen nuk do të kishim një qëndrim lidhur me çështjen e Kosovës”.

Më 23-27 shtator, në të ashtuquajturat Republikat Popullore Donetsk dhe Luhansk që janë nën kontrollin e separatistëve pro-rusë në Ukrainë dhe në rajonet Kherson dhe Zaporizhzhia nën kontrollin e ushtrisë ruse, u mbajtën referendume për bashkim me Rusinë.

Sipas të dhënave jozyrtare të të ashtuquajturave komisione zgjedhore në rajon, nga referendumet është marrë vendimi për “tu bashkuar me Rusinë”.

Kategoritë
BotaLajme