Unioni i Dijetarëve Muslimanë dënon sulmin terrorist në Francë

Grupi me bazë në Doha përsëriti thirrjen e tij për të luftuar çdo tendencë drejt ekstremizmit, dhunës dhe terrorizmit

Një grup udhëheqësish global muslimanë dënoi sulmin vdekjeprurës me thikë sot në një kishë në Nice të Francës, transmeton Anadolu Agency (AA).

“Ne morëm lajmin për krimin e tmerrshëm që ndodhi këtë mëngjes në Nice të Francës, në të cilin u vranë tre njerëz”, tha Unioni Botëror i Dijetarëve Muslimanë (IUMS) në një deklaratë.

Grupi me bazë në Doha përsëriti thirrjen e tij për të luftuar çdo tendencë drejt ekstremizmit, dhunës dhe terrorizmit.

“Unioni dënon dhe denoncon këtë krim të rëndë barbar, nga kushdo që është kryer dhe cilido qoftë motivi dhe objektivi i tij, ai konfirmon edhe një herë pafajësinë e Islamit dhe kombeve të Islamit nga kjo vepër kriminale”, thuhet në deklaratë ku ndër të tjera theksohet se veprime të tilla janë të ndaluara dhe shkelin parimet dhe vlerat e Islamit.

Sulmi i sotëm është i fundit në një valë veprimesh terroriste që përfshinë Francën mes tensioneve në rritje rreth masave anti-islame.

Deklarata bëri një referencë të qartë ndaj veprimeve që margjinalizuan muslimanët kur tha se grupi “ripërsëriti thirrjen për muslimanët në përgjithësi dhe në vendet evropiane në veçanti për të mos kursyer asnjë përpjekje në luftimin e çdo tendence që tenton ekstremizmin, dhunën dhe terrorizmin dhe për të konsoliduar qasjen e moderimit, paqes, dhembshurisë dhe harmonisë”.

Tre persona u vranë dhe disa u plagosën në sulmin me thikë pranë bazilikës së Notre Dame de l’Assuction.

Policia arrestoi të dyshuarin dhe e dërgoi në një spital pasi pësoi plagë me armë zjarri, njoftuan mediat lokale.

Në mesin e të vdekurve janë një burrë dhe dy gra, dy prej të cilave iu prenë kokat. Policia konfirmoi se të paktën një personi i ishte prerë koka.

Në një incident të veçantë sot policia franceze qëlloi për vdekje një burrë me thikë i cili thuhet se kërcënoi policinë në Avignon, njoftuan raportet e mediave.

Kategoritë
BotaLajme