Turqia përgënjeshtron dhe dënon pretendimet e pabaza të Greqisë

Turqia ka deklaruar se hedh poshtë plotësisht pretendimet dhe akuzat e pabaza të bëra nga Greqia dhe dënon ashpër shkeljet greke të hapësirës ajrore turke.

Zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Jashtme, ambasadori Tanju Bilgiç i është përgjigjur me shkrim pyetjes në lidhje me akuzat për ‘shkelje të hapësirës ajrore’ nga Greqia.

Duke deklaruar se avionët F-16 që i përkasin Forcave Ajrore Greke shkelën hapësirën ajrore turke më 16 maj, në perëndim të Gokçeada dhe 17 maj në perëndim të Enezit, Bilgiç tha se në përputhje me rregullat e reciprocitetit dhe angazhimit, Forcat Ajrore Turke janë kundërpërgjigjur më 18 maj ndaj këtyre shkeljeve provokuese.

“Greqia po tenton edhe një herë të krijojë një keqperceptim ndaj Turqisë në publikun ndërkombëtar duke iu drejtuar tensionit që e nisi me veprimet e veta provokuese. Në këtë kontekst, ne hedhim poshtë totalisht akuzat dhe pretendimet e pabaza të bëra ndaj vendit tonë nga Ministria e Punëve të Jashtme Greke në deklaratën e saj të datës 20 maj dhe dënojmë ashpër shkeljet e Greqisë ndaj hapësirës sonë ajrore”, tha Bilgiç.

“Në mënyrë që incidente të tilla të mos përsëriten më, Greqia duhet t’i japë fund veprimeve të saj provokuese në Egje dhe të demonstrojë një qasje serioze dhe të përkushtohet ndaj procesit të Masave të Ndërtimit të Besimit të nisur si në mënyrë dypalëshe ashtu edhe në NATO, takimet e të cilave Greqia nuk ka marrë pjesë një vit”, bëri të ditur zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Jashtme, ambasadori Tanju Bilgiç.

Kategoritë
BotaLajme