Numri i ushtarëve rusë të vrarë në luftë që nga fillimi i agresionit rus ndaj Ukrainës, mbetet një sekret që Kremlini bën përpjekje të mëdha për ta mbajtur të fshehtë. Siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës Ricardo Marquina, hulumtimi i burimeve të hapura ruse tregon se humbjet e Moskës kanë qenë të rënda.
Zyrtarët e Krimesë së pushtuar po mbajnë një ceremoni mortore për një ushtar të vrarë në luftë.
Ceremoni si kjo, si dhe të dhënat publike nga mediat lokale për lajmërimet për vdekje, shërbejnë si burime për mbledhjen e të dhënave nga organizata të pavarura, si media opozitare ruse Mediazona. Të dhënat e mbledhura nga këto burime flasin për rreth 50,000 ushtarë rusë të vrarë në luftime.
Hulumtimi i tyre u bazua tek të dhënat e hapura, me shpresën për të hedhur dritë mbi faktet që Kremlini i mban të fshehura, të paktën tek burimet që mund t’i kontrollojë.
Zëri i Amerikës bisedoi me zotin Arno Reuser, konsulent zbulimi i burimeve të hapura.
“Duhen patur parasysh burimet e hapura që janë shumë të vështira për t’u ndikuar nga çdo shtet. Varrezat e reja janë diçka që nuk mund t’i mohosh. Imazhet satelitore të varrezave të reja që nuk ekzistonin një vit më parë, janë një burim objektiv”, thotë ai.
Disa vëzhgues besojnë se shifrat e dala nga ky hulumtim janë shumë më të vogla se ato reale. Ata thonë se shoqëria ruse nuk i përdor më rrjetet sociale për të folur lirisht si një dekadë më parë për çështje politike apo ushtarake. Qasja në informacione është shumë më e kufizuar tani sesa ishte në vitin 2014.
“Njerëzit ishin më të hapur dhjet vjet më parë. Kishte shumë më pak nga ata që i mbanin faqet e tyre të mbyllura dhe të paarritshme për të huajt. Praktikisht, ishte e mundur që të mësojë gjithçka për jetën që bënte dikush”, thotë për Zërin e Amerikës analisti rus Pavel Luzin me Universitetin Tufts.
Ukraina e ka publikuar shifrën zyrtare të ushtarëve të rënë në luftë. Por disa kanë pikëpyetje. Në muajin shkurt, Presidenti Volodymyr Zelenskyy tha se 31,000 ushtarë ukrainas ishin vrarë që nga fillimi i agresionit rus. Kjo shifër nuk është verifikuar.
Taktikat e Rusisë janë kritikuar ashpër. Pavarësisht provave në rritje të viktimave të shumta, kritikët nuk shohin shenja se Moska do të ndryshojë mënyrën e luftës së saj.
“Taktika ruse e sulmit është të dërgojë ushtarë në vijën e frontit, një taktikë që Rusia e cilëson të vlefshme. Nëse dërgojnë më shumë trupa se sa ka fishekë Ukraina, atëherë ata do fitojnë”, thotë për Zërin e Amerikës Keir Giles me Institutin Mbretëror të Çështjeve Ndërkombëtare në Londër, që njihet edhe si Chatham House.
Rusia nuk po tregon shenja se synon të qartësojë mjegullën e dezinformatave lidhur me humbjet e saj në luftë, apo për realitetin me të cilin ndeshen ushtarët e saj në fushat e betejës në Ukrainë.