Media izraelite: Tel Avivi po shqyrton alternativa për invazionin në Rafah

Rafah është zona e fundit e mbetur në Rripin e Gazës, ku Izraeli ende nuk ka njoftuar zyrtarisht hyrjen e trupave të tij për të vazhduar sulmin kundër palestinezëve

Izraeli është duke kërkuar alternativa për invazionin e planifikuar të qytetit Rafah në skajin jugor të Rripit të Gazës, tha sot media lokale, transmeton Anadolu.

“Shërbimet e sigurisë po shqyrtojnë alternativat ndaj një operacioni në shkallë të gjerë në Rafah, nëse ky operacion nuk ndodh”, tha Radioja e Ushtrisë.

Pavarësisht rritjes së kundërshtimit ndërkombëtar, kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu është zotuar të pushtojë Rafahn, ku janë strehuar mbi 1,4 milion palestinezë të zhvendosur.

Rafah është zona e fundit e mbetur në Rripin e Gazës, ku Izraeli ende nuk ka njoftuar zyrtarisht hyrjen e trupave të tij për të vazhduar sulmin kundër palestinezëve.

“Shërbimet izraelite të sigurisë insistojnë në nisjen e një operacioni në Korridorin e Filadelfit (në kufirin midis Gazës dhe Egjiptit) për të prerë rrugët e kontrabandës së Hamasit”, tha radioja.

Transmetuesi, duke cituar burime izraelite, tha se Tel Avivi do të jetë i përgatitur të ketë në konsideratë pozitivisht një tërheqje të plotë nga aksi Netzarim në Gazën qendrore, si pjesë e një marrëveshjeje armëpushimi që përfshin shkëmbim të të burgosurve.

I emëruar sipas vendbanimit Netzarim, i hequr nga Gaza në vitin 2005, ushtria izraelite ndërtoi korridorin shtatë kilometra të gjatë për të ndarë Gazën veriore nga pjesa e saj jugore.

Hamasi, i cili besohet se mban më shumë se 130 pengje izraelitë, kërkon fundin e ofensivës së Izraelit në Gaza në këmbim të çdo marrëveshje për pengjet me Tel Avivin.

Izraeli ka zhvilluar një ofensivë të ashpër në enklavën palestineze që nga një sulm ndërkufitar nga Hamasi më 7 tetor të vitit të kalaur, në të cilin Tel Avivi thotë se u vranë rreth 1.200 njerëz.

Afro 34.600 palestinezë janë vrarë që atëherë, kryesisht gra dhe fëmijë, dhe 77.800 të tjerë janë plagosur, krahas shkatërrimit në masë dhe mungesës së madhe të nevojave.

Izraeli akuzohet për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë. Një vendim i përkohshëm në janar urdhëroi Tel Avivin të ndalojë aktet gjenocidale dhe të marrë masa për të garantuar ofrimin e ndihmës humanitare për civilët në Gaza.

Kategoritë
BotaLajme