Skandal në Spitalin e Mitrovicës: Kufoma e 84-vjeçarit të dyshuar me Covid qëndron gati 6 orë me pacientët e tjerë

Trupi i pa jetë i një 84-vjeçari ka qëndruar për gati 6 orë në dhomën e njëjtë me pacientët e tjerë në Spitalin e Mitrovicës “Sami Haxhibeqiri”. I ndjeri pas vdekjes kishte rezultuar pozitiv me Covid-19.

Familjarët janë shprehur të dëshpëruar për shkak të pamundësisë që ta marrin kufomën për t’i  kryer procedurat e varrimit.

Gazeta Express ka kontaktuar me drejtorin e Spitalit të Mitrovicës, Enis Istrefin. Ai e shpjegoi për gazetën këtë rast.

Sipas Istrefit rreth këtij rasti është dashur që të pritet rezultati i testit për koronavirus.

Mostra në trupin e 84-vjeçarit për testim PCR, ishte marrë qysh te shtunën. Ndërkohë rezultati është publikuar nga ana IKSHPK-së pas tre ditëve. Dhe atë, veç pas insistimit të drejtuesve të spitalit.

Pra rezultati për këtë pacient ka dalë vetëm pas vdekjes së tij. Kështu ka pohuar drejtori Enis Istrefi.

“Ky rast ka qenë rasti i parë i vdekjes nga Covid në spitalin tonë. Pritja ka qenë vetëm për çështje të procedurave. Problemi ka qenë se ne e kemi marrë rezultatin për Covid për këtë pacient vetëm pas vdekjes. Në momentin e vdekjes ka qenë pacient i pakonfirmuar me koronavirus. Është dashur që ta presim rezultatin e testit nga ISKHPK dhe pastaj t’i përfundojmë procedurat e tjera”, shpjegon Istrefi.

Ai pranon se trupi i pa jetë i kësaj kufome ka qëndruar në spital, gjegjësisht në Klinikën e Pomologjisë, 3 deri në 6 orë.

“Është dashur pastaj që të njoftohet ministria, kompania për bartjen e kufomave. Kanë qenë disa procedura që është dashur që të kryhet”, ka thënë tutje drejtori i Spitalit të Mitrovicës.

Ai tutje ka shpjeguar se pacienti në fjalë është pranuar të shtunën në spital me probleme mushkërore dhe në po të njëjtën ditë i është bërë testi i Covidit me metodën PCR.

E ky rast nuk është i pari kur kufomat e pacientëve kosovarë qëndrojnë në dhoma bashkë me pacientët e tjerë.

Njëjtë ka ndodhur para pak muajve në Klinikën e Pomologjisë të QKUK-së.

Aty dy paciente të vdekura kanë qëndruar njëra 6 orë e tjetra më shumë në dhomë bashkë me pacientët e gjallë të cilët po trajtoheshin.

Kategoritë
LajmeVendi

Të ngjajshmet