Gjermania po tenton të joshë Partinë Republikane. Japonia po përdor zyrtarët e saj pro Donald Trumpit. Zyrtarët e Qeverisë meksikane po zhvillojnë bisedime me kampin e Trumpit dhe Australia është e zënë duke hartuar ligje që t’ia bëjë me dije Trumpit se shteti ka lidhje të mbrojtjes me Shtetet e Bashkuara.
Gjetkë, aleatët e SHBA-së po ndërmarrin hapa për të mbrojtur apo avancuar interesat e tyre në rast se ish-presidenti Donald Trump, rikthehet në pushtet në zgjedhjet e nëntorit. Sondazhet e fundit sugjerojnë Trump ka shanse që të kthehet në Shtëpinë e Bardhë.
Aleatët duan që të shmangin shuplakën e ftohtë që morën gjatë mandatit të parë nga politika e Trumpit “Amerika e Para”.
Kjo politikë shkaktoi luftëra tregtare, lëkundje të aleancave të sigurisë, shtypje të emigrimit dhe tërheqje nga një marrëveshje botërore e klimës.
Agjencia Reuters ka biseduar me diplomatë dhe zyrtarë qeveritarë në pesë kontinente për përgatitjet e tyre për Trump 2.0.
Bisedat zbuluan se në Meksikë janë zhvilluar diskutime për emërimin e një ministri të ri të Jashtëm, që do t’i përshtatej Trumpit, në Australi një ambasador po nxiton që të mbrojë një marrëveshje për nëndetëset, ndërkaq një zyrtar gjerman po mban kontakte me guvernatorët republikanë.
Disa liderë të huaj kanë kontaktuar drejtpërdrejt Trumpin, pavarësisht rrezikut se një gjë e tillë do të zemërojë rivalin e tij në zgjedhje, presidentin aktual demokrat, Joe Biden.
Princi i Kurorës i Arabisë Saudite së fundi ka telefonuar Trumpin, tha një burim që ka njohuri për këtë bisedë telefonike.
Sekretari i Jashtëm britanik, David Cameron, po ashtu gjatë këtij muaji ka zhvilluar takime me Trumpin në resorin e ish-presidentit në Florida. Kryediplomati britanik u tha gazetarëve në Uashington, pas këtij takimi, se takimi ishte një darkë private ku u diskutua për Ukrainën, luftën e Izraelit në Gazë dhe të ardhmen e NATO-s.
Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karine Jean-Pierre, tha për Reuters se takime të tilla, sikurse ai që zhvilloi Cameron, nuk janë të pazakonshme. Ajo nuk iu përgjigj pyetjeve lidhur me takimet e Trumpit me Viktor Orbanin e Hungarisë, apo për bisedën me sauditët, për të cilën fillimisht raportoi New York Times.
Zyra për media e Qeverisë saudite dhe fushata e Trumpit nuk iu përgjigjën kërkesave për koment lidhur me bisedën. Fushata e Trumpit tha se ai ka diskutuar për çështjet e sigurisë me të gjithë liderët evropianë, përfshirë edhe për propozimin e bërë nga presidenti polak, Andrzej Duda, që anëtarët e NATO-s të shpenzojnë të paktën 3 për qind të Bruto Prodhimit të Brendshëm për fushën e mbrojtjes.
Aktualisht, caku për këtë çështje është 2 për qind.
Jeremi Suri, historian për presidentët në Universitetin e Teksasit, tha se takimet mes kandidatëve dhe diplomatëve janë normale. Por, ai shtoi se mendon që takimi i Trumpit me Orbanin dhe biseda telefonike me Mohammed Bin Salmanin e Arabisë Saudite ishin të pazakonta.
Këshilltari i Trumpit, Brian Hughes tha: “Takimet me bisedat me liderët botërorë reflektojnë njohjen e asaj që në SHBA veçse e dimë. Joe Biden është i dobët dhe kur presidenti Trump të betohet si presidenti i 47-të i SHBA-së, bota do të jetë më e sigurt dhe Amerika do të jetë më prosperuese”.
Zëdhënësja e fushatës së Trumpit tha se “aleatët e Amerikës po shpresojnë që presidenti Trump të rizgjidhet”.
Diplomacia e shmangies e Gjermanisë
Shumica e komunikimeve me Trumpin kanë qenë më pak të drejtpërdrejta.
Gjermania po ndërton ura me republikanët e Trumpit përmes nivelit shtetëror, duke u kujtuar zyrtarëve të kësaj partie se ajo investon shumë në industrinë amerikane. Berlini është i vetëdijshëm që Trumpi ka kërcënuar me tarifa ndëshkuese për industrinë e makinave të Gjermanisë kur ai ishte presidenti, dhe tani, nëse zgjidhet president, dëshiron që të vendosë një tarifë minimale prej 10 për qind për të gjitha importet. Gjermania po përdor një koordinator transatlantik për t’u përgatitur për Trump 2.0.
Si koordinator, Michael Link po udhëheq atë që Berlini e quan “diplomaci të shmangies”, duke shënjestruar disa shtete amerikane, që mund të jenë përcaktuese për zgjedhjet e nëntorit në SHBA, e në të cilat Berlini është një investitor i madh.
Do të ishte jashtëzakonisht e rëndësishme, nëse Donald Trump rizgjidhet, që të shmangeshin tarifat ndëshkuese që ai ka planifikuar që të vendosë kundër mallrave që vijnë nga Bashkimi Evropian”, tha ai për Reuters.
Link tha se ka takuar guvernatorët republikanë të Oklahomës, Arkansasit, Alabamës dhe Indianës. Në secilin prej këtyre takimeve, ai tha se u ka shpjeguar bashkëbiseduesve të tij se pse lidhjet e mira tregtare mbështesin praninë e Gjermanisë në SHBA. Eksportuesi më i madh i makinave të prodhuara në SHBA është BMW, dhe Gjermania thotë se kjo kompani punëson 860.000 amerikanë në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe të tërthortë.
Link po ashtu ka zhvilluar takime me zyrtarë demokratë, por prioritet i tij është që të lobojë tek ata që kanë ndikim te Trumpi.
Reuters nuk ka arritur të përcaktojë nëse Trumpi është në dijeni të qasjes së Berlinit.
Personat miqësorë me Trumpin
Në Meksikë, zyrtarët qeveritarë kanë zhvilluar takime me njerëz të afërt me Trumpit, me të cilët kanë diskutuar për çështje sikurse emigrimi dhe trafikimi i fentanilit – një drogë sintetike – për në SHBA.
Për këto dy çështje, Meksika mund të përballet me presion të SHBA-së, nëse fiton Trumpi, sipas dy burimeve në Meksikë. Trump ka thënë se ai do të urdhëronte Pentagonin “të përdorë siç duhet forcat speciale” për të sulmuar udhëheqjen e karteleve dhe infrastrukturën, gjë e cila ka shumë gjasa që të mos përkrahet nga Qeveria meksikane.
Zyrtarët në Meksikë po ashtu kanë biseduar për marrëveshjen për tregti të lirë të Amerikës së Veriut, që ishte rishkruar nën presidencën e Trumpit më 2020 dhe duhet të rishikohet më 2026, thanë burimet.