Palestina me kërkesë për shtetet islamike: Shkëputni raportet me Kosovën pas hapjes së Ambasadës në Jeruzalem

Palestina u ka kërkuar vendeve anëtare të Organizatës së Bashkëpunimit Islamik që të ndërpresin marrëdhëniet me Kosovën, për shkak të vendimit të autoriteteve në Prishtinë për të hapur një ambasadë në Jeruzalem,

Sipas informacionit nga Novosti, ajo kërkesë u deklarua nga Ministri i Punëve të Jashtme të këtij vendi, Riyad al-Malki, në një letër dërguar Sekretarit të Përgjithshëm të Organizatës, transmeton lajmi.net.

Siç shpjegoi Al-Malki, marrëdhëniet duhet të ndërpriten sepse Kosova shkel ligjin dhe rezolutat ndërkombëtare me vendimin e saj, por gjithashtu sulmon hapur popullin palestinez dhe të drejtat e tij.

Nëse anëtarët e Organizatës do të pranonin kërkesën palestineze, Prishtina do të përballej me një humbje të madhe të mbështetjes, sepse pavarësia e Kosovës u njoh nga 30 nga 57 vendet në këtë organizatë.

Vlerësohet se ata zyrtarisht nuk do të tërhiqnin vendimet e njohjes, por një numër i madh i tyre me siguri nuk do të mbështesnin më Kosovën në përpjekjet e saj për t’u bashkuar me organizatat ndërkombëtare.

Prishtina zyrtarisht vendosi marrëdhënie diplomatike me Izraelin në 1 Shkurt, dhe me njoftimin e tyre se do të hapte një ambasadë në Jeruzalem, Organizata e dënoi atë më 3 Shkurt sepse, siç tregohet, kjo do të shkelte Rezolutën 478 të Këshillit të Sigurimit të KB.

Vendimi u kritikua gjithashtu edhe nga Bashkimi Evropian, por përkundër kësaj, ambasada u hap zyrtarisht në 14 Mars.

Para Prishtinës, vetëm Amerika dhe Guatemala kishin misione diplomatike në Jeruzalem, nga 2018.

Republika Çeke gjithashtu u bashkua me treshen, e cila hapi një zyrë diplomatike në Jeruzalem në Mars, si një zyrë dege e ambasadës në Tel Aviv.

Ambasadori palestinez në Serbi Mohamed Nabhan kohët e fundit deklaroi se akti i hapjes së ambasadës së Kosovës në Jeruzalem është shkelje e parimeve të vendeve arabe dhe islamike, të cilat besojnë se Jeruzalemi është një qytet i okupuar, i cili konfirmohet nga rezolutat e shumta të KB, dhe se Rezoluta 478 ndalon shtetet të zhvendosin ose hapin ambasada në Jeruzalem, shkruan Novosti, transmeton lajmi.net.

Ai deklaroi se Turqia gjithashtu kundërshton një veprim të tillë dhe pyeti: Sa ia vlen të merret njohja e një vendi dhe të humbet besimi i më shumë se gjashtëdhjetë?

“Të gjithë anëtarët që kanë një qëndrim të ngjashëm me Organizatën do të kenë një pamje negative të këtij akti. Kështu që, e gjithë bota do ta shikojë negativisht sepse kjo bie ndesh me ligjin ndërkombëtar dhe sigurisht nuk i jep Prishtinës një vizë tranziti në KB”, deklaroi Ambasadori Nabhan, duke i bërë thirrje Serbisë që të mos lëvizë ambasadën e saj nga Tel Aviv në Jeruzalem.

Nga Turqia në Katar

Midis anëtarëve të Organizatës së Bashkëpunimit Islamik që njohin Kosovën janë Turqia, Shqipëria, Emiratet e Bashkuara Arabe, Arabia Saudite, Kuvajti, Katari, Bahreini, Pakistani, Libia … Vende si Omani, Egjipti dhe Guinea-Bissau tashmë kanë ngrirë vendimet e tyre të njohjeS, ndërsa Kosova nuk u njoh kurrë nga Palestina, Azerbajxhani, Indonezia, Irani, Algjeria, Tunizia, Kazakistani … /Lajmi.net/

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreVendi