“Njerëzit i vënë fëmijët në rrezik të madh me shpërndarjen e fotove të tyre në internet”

“Ne po flasim për një teknologji që mund të përdoret për përfitim njerëzor, por në botën e sotme kjo përdoret në një mënyrë që vendos sigurinë dhe vlerat etike të njerëzve në rrezik”, tha akademiku turk Horzum.

Një akademik turk ka paralajmëruar se kur njerëzit ndajnë fotografi të fëmijëve në platformat online, kriminelëve u mundëson t’i përdorin ato fotografi për mashtrim, pornografi me fëmijë apo edhe abuzim me fëmijë.

Mehmet Barış Horzum, anëtar i Departamentit të Edukimit të Teknologjisë Kompjuterike dhe Instruktive pranë Universitetit Sakarya, për Anadolu shpjegoi sa e rrezikshme është të ndash fotografitë e fëmijëve në internet si dhe teknologjinë që qëndron pas “Deepfake”.

Horzum tha se “Deepfake” bashkon zëra dhe pamje të ndryshme për të krijuar përmbajtje manipuluese. “Në fakt, ne po flasim për një teknologji që mund të përdoret për përfitim njerëzor, por në botën e sotme kjo përdoret në një mënyrë që vendos sigurinë dhe vlerat etike të njerëzve në rrezik”, u shpreh ai.

Ai theksoi se përmbajtjet e teknologjisë “Deepfake” krijohen duke përdorur pamjet vizuale dhe të dhënat personale të personave të jetës reale të shpërndara në internet, duke përmendur se kjo teknologji i sheh fëmijët si objektivin më të dobët dhe arrijnë në të dhënat e tyre përmes pamjeve vizuale të shpërndara në internet kryesisht nga vetë prindërit.

– Fotografitë e shpërndarë në internet mbeten gjurmë digjitale

Duke shpjeguar se fotografitë e shpërndara në platformat online krijojnë gjurmë digjitale që nuk mund të hiqen nga interneti për vite me radhë, Horzum tha se “kjo e vë në rrezik të ardhmen e fëmijëve, privatësinë dhe konfidencialitetin e të dhënave personale”.

Akademiku turk kujtoi një fotografi të shpërndarë nga krye-menaxheri i kompanisë Meta, Mark Zuckerberg, në të cilën fytyrat e fëmijët të tij ishin fshehur.

“Pasi ai e bën një gjë të tillë vlen t’i kushtohet vëmendje pasi kompania e tij është ndër platformat kryesore të medias. Mund të jetë për shkak të një zgjedhjeje personale ose shqetësimeve për sigurinë e fëmijëve të tij. Mediat sociale janë platformë e hapur ndaj rreziqeve të ndryshme”, tha Horzum.

Duke theksuar faktin se kur fotografitë e fëmijëve shpërndahen nga përdoruesit e dytë në platformat e mediave sociale, ato gjithashtu mbeten në algoritmet e përdoruesve të tretë dhe mbledhësve të tjerë të të dhënave, Horzum tha se duke përdorur këto fotografi mund të arrihet çdo informacion për ata fëmijë, përfshirë shkollën e tyre, klasat, notat në shkollë dhe madje edhe numrat e tyre personal të telefonit.

“Rrjetet e errëta dhe kriminale”, thekson ai, në mjedisin digjital përdorin fotografi të fëmijëve për qëllime mashtrimi, pornografie dhe marrjes së materialeve për abuzim me fëmijë.

Ai thotë se fotografitë dhe të dhënat e miliona fëmijëve shpërndahen në internet për çdo vit. Horzum paralajmëroi se këto fotografi nuk shihen vetëm nga të afërmit apo njerëzit me qëllime të mira, por edhe nga “rrjetet e errëta” dhe pedofilët.

– Arritja tek fëmijët

Më tej, Horzum tha se rrjetet kriminale në internet komunikojnë me fëmijët përmes disa llogarive të mediave sociale që duket se prodhojnë përmbajtje për ta, si dhe metodave të tilla si “phishing”.

“Njerëzit keqdashës po krijojnë llogari të rreme dhe po kryejnë mashtrime me llogari që u përkasin fëmijëve dhe familjeve. Edhe pse fotot që shpërndani nuk i shërbejnë drejtpërdrejt këtij qëllimi, ato mashtrojnë fëmijët e tjerë dhe çojnë në fotografi të papërshtatshme të atyre fëmijëve që merren dhe fëmijëve të ndryshëm që abuzohen. Një fotografi e pafajshme e bërë gjatë një mësimi të edukimit fizik mund të përdoret për qëllime të ndryshme në internet”, paralajmëron ai.

Duke iu referuar faktin se teknologjia “Deepfake” përdoret në platformat e lojërave të njohura të vizituara kryesisht nga fëmijët, Horzum tha se, “Është një qëndrim i rrezikshëm që familjet të mendojnë se çdo lojë është e njëjtë dhe nuk kujdesen për përmbajtjen aktuale. Këto platforma, të cilat përfshijnë mijëra përmbajtje, nga lojërat seksualisht eksplicite deri tek lojërat që nuk janë të përshtatshme për moshën e fëmijës, duhet të monitorohen rregullisht nga familjet”, tha akademiku turk.

– Traumat për fëmijët

Horzum tha se kjo situatë, e cila mund të shfaqet edhe si bullizëm kibernetik, shantazh, abuzim apo mashtrim, mund të pengojë zhvillimin personal dhe të njohjes së fëmijëve.

“Ne shohim efekte psikologjike si lagia e shtratit gjatë natës, ankthe, depresioni në moshë të re, çrregullime të vetëvlerësimit, tërheqje dhe çrregullime të stresit traumatik te fëmijët e viktimizuar. Në dimensione të avancuara, ne hasim në raste të vetëvrasjes”, tha ai.

Përveç monitorimit të përmbajtjes së lojërave apo aplikacioneve të përdorura nga fëmijët, ai këshilloi se prindërit duhet të kërkojnë edhe udhëzime profesionale për këtë çështje.

“Familjet duhet të marrin trajnime për sigurinë në internet nga mësuesit ose profesionistët dhe t’ua transmetojnë këtë informacion fëmijëve në mënyrën e duhur. Çdo fotografi, çdo vendndodhje dhe çdo informacion nuk duhet të shpërndahet në mediat sociale dhe kjo duhet t’u tregohet fëmijëve nga familjet. Rritja e ndërgjegjësimit është shumë e rëndësishme në përdorimin e internetit”, shpjegoi akademiku turk.

Kategoritë
FamiljeShëndetësi