Lapid ka thirrur pasardhësin e tij të mundshëm për ta uruar për rezultatin zgjedhor
Kryeministri në largim i Izraelit, Yair Lapid, pranoi humbjen ndaj liderit të opozitës dhe ish-kryeministrit Benjamin Netanyahu pas suksesit të bllokut të tij në zgjedhjet parlamentare të mbajtura në fillim të kësaj jave, sipas mediave lokale, transmeton Anadolu Agency (AA).
E përditshmja Jerusalem Post raportoi se Lapid ka thirrur pasardhësin e tij të mundshëm për ta uruar pasi partia e tij e krahut të djathtë Likud fitoi 32 vende në Knesset, parlamentin izraelit, me 120 vende, në zgjedhjet e së martës.
“Shteti i Izraelit është mbi të gjitha konsideratat politike. Unë i uroj Netanyahut sukses për hir të popullit të Izraelit dhe shtetit të Izraelit”, citohet të ketë thënë Lapid.
Lapid thuhet se ka udhëzuar Zyrën e Kryeministrit të përgatitet për një transferim të rregullt të pushtetit.
Rezultatet e cituara nga gazeta Times of Israel treguan se aleatët e Netanyahut, Partia e ekstremit të djathtë e Sionizmit Fetar ka marrë 14 vende, ndërsa Partia Shas ka fituar 11 vende dhe partia e Judaizmit Tora e Bashkuar tetë vende. Në total, blloku i tij tani ka 65 vende.
Rezultatet e zgjedhjeve i japin Netanyahut, i cili ishte kryeministër derisa u rrëzua në vitin 2021, një shumicë të plotë në Knesset për të formuar një qeveri të qëndrueshme.
Zgjedhjet e së martës ishin të pestat në më pak se katër vjet dhe kishin një dalje në votime prej 71,3 për qind, më e larta në 20 vjet.
Partia e Lapidit Yeah Atid (Ka një të ardhme) fitoi 24 vende, me 95,2 për qind të votave të numëruara.