KEDS-i: E kemi të pamundur ta furnizojmë lagjen “Bregu i Diellit” me energji elektrike

Që nga dje, banorët e lagjes “Bregu i Diellit” në Prishtinë po ballafaqohen me mungesën e energjisë elektrike. Banorët në atë pjesë janë duke u ankuar për shkak që ka më shumë se 12 orë që nuk kanë energji elektrike.

Ndërsa, KEDS-i, përmes një postimi në Facebook, ka njoftuar se aktualisht e kanë të pamundur furnizimin me rrymë elektrike në këtë lagje për shkak që ka të bëjë me një defekt që është në përgjegjësi të KOSTT-it.

“KEDS njofton se në një pjesë të lagjes Bregu i Diellit të Prishtinës ka defekt që po paraqitet në një trafo të KOSTT’it. KEDS është duke e bërë maksimumin për ti furnizuar konsumatorët me energji elektrike edhe të asaj pjese. Por, ajo trafo e KOSTT’it po e bën të pamundur furnizimin. Ekipet tona kanë qendruar aty gjatë gjithë natës dhe vazhdojnë të jenë aty duke e bërë maksimumin që të rikthehet energjia elektrike sa më shpejt të jetë e mundur. Por, pasi bëhet fjalë për ndërprerje që po shkaktohet në pjesën që është në përgjegjesi të KOSTT’it, aktualisht e kemi të pamundur furnizimin për atë pjesë”, thuhet në njoftimin e tyre.

Gazeta Express ka kontaktuar edhe me zëdhënësen e KOSTT-it, Zana Bajramin, e cila tha se pengesat në furnizim me energji elektrike në lagjen “Bregu i Diellit” në Prishtinë janë si pasojë e rritjes së konsumit gjë që ka ndikuar në paraqitjen e disa defekteve .

Bajrami nuk tregoi se kur banorët e kësaj lagjeje do të furnizohen me energji elektrike dhe për këtë thotë se duhet të kontaktohet me KEDS-in.

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreVendi