Itali: Partia e Matteo Renzi largohet nga qeveria

Ish-kryeministri italian Matteo Renzi njoftoi sonte tërheqjen e ministrave nga radhët e partisë së tij Italia Viva nga qeveria, duke lënë kështu koalicionin qeverisës pa një shumicë në parlament.

Vendimi i tij, i njoftuar në një konferencë shtypi, po e shtyn Italinë në kaos politik ndërsa vendi lufton për të shtypur pandeminë e virusit korona, raporton Reuters.

Renzi kërcënoi më herët se partia e tij do të dilte nga qeveria për shkak të pakënaqësive me planet e kryeministrit Giuseppe Conte për shpenzimin e miliarda eurove të Bashkimit Evropian dedikuar për rikuperimin e ekonomisë.

Ndërkohë që Renzi ka sqaruar se, kjo nuk do të thotë zgjedhje të parakohshme.

“Ju nuk votoni tani, ju votoni në 2023”, thotë Renzi, duke u kthyer për të mohuar hipotezën e zgjedhjeve të parakohshme.

Renzi ka qenë kryeministër i Italisë nga viti 2014 deri në 2016. Ai asokohe la Partinë Demokratike dhe krijoi Italia Viva, që ka dy ministra në qeveri dhe rreth 3 për qind të votave në publik.

Kategoritë
BotaLajme