Francë, shkaktohet panik nga “gripi i shpendëve”

Pas ishullit të Korsikës, ku qindra pula u mbytën për shkak të gripit të shpendëve, raste janë zbuluar gjithashtu në një fermë pulash në qytetin Yvelines, tha Ministria e Bujqësisë.

Në Francë, një prej vendeve më të prekura nga pandemia e koronavirusit (COVID-19) në Evropë, është shkaktuar panik pasi raste të gripit të shpendëve janë regjistruar edhe në një qytet të dytë.

Ministria e Bujqësisë, në një deklaratë në të cilën citohet Autoriteti Kombëtar i Sigurisë Shëndetësore (Anses), tha se pas ishullit të Korsikës, ku qindra pula u mbytën për shkak të gripit të shpendëve, raste janë zbuluar gjithashtu në një fermë pulash në qytetin Yvelines.

Në deklaratë thuhet se ekspertët e Anses-it po përpiqen të përcaktojnë lidhjet midis dy epidemive.

Nga ana tjetër, qeveria ka urdhëruar rritjen e masave kombëtare për të parandaluar përhapjen e gripit te kafshët e tjera në rajon.

Në fillim të nëntorit, autoritetet kërkuan që në 45 rajone, shpendët e koteceve të karantinoheshin ose mbroheshin me rrjetë sigurie pasi shpendët shtegtarë që kalojnë në këto zona mund të mbartin gripin e shpendëve. Shitja e pulave të gjalla në tregje dhe përdorimi i zogjve të gjahut nga gjuetarët gjithashtu janë ndaluar.

Në rajonet e Francës Jugperëndimore, miliona kafshë u mbytën në dy epidemi të gripit të shpendëve gjatë dimrit, më 2015-2016 dhe 2016-2017.

Sëmundja kishte shkaktuar dëme prej miliona dollarësh në të ardhurat e eksportit të Francës.

Kategoritë
BotaLajme