Filipçe: Vaksina kundër COVID-19 do të jetë falas

“Vaksinimi i punonjësve shëndetësorë do të kryhet brenda institucioneve shëndetësore publike ku ata punojnë. Vaksinimi do të jetë falas për qytetarët”, tha ministri i Shëndetësisë së Maqedonisë së Veriut, Venko Filipçe

Ministri i Shëndetësisë së Maqedonisë së Veriut, Venko Filipçe, në një konferencë për media sot tha se vaksina kundër koronavirusit të ri (COVID-19) do të jetë falas për qytetarët e vendit, transmeton Anadolu Agency (AA).

Ministri Filipçe tha se kanë filluar përgatitjet intensive për procesin e vaksinimit, me qëllim të përgatitjes së sistemit shëndetësor për vaksinim efektiv.

“Në pjesën e prokurimit të vaksinave, tashmë janë siguruar 833 mijë vaksina për 400 mijë qytetarë përmes mekanizmit COVAX. Është një mekanizëm i OBSH-së, Aleancës Globale të Imunizimit, në të cilën marrin pjesë të gjitha vendet fqinje, përveç vendeve anëtare të BE-së, të cilët patën mundësinë të hynin në marrëveshje të drejtpërdrejta me disa kompani. Brenda këtij sistemi, ne do të marrim vaksinat në përputhje me planin e shpërndarjes që COVAX do ta përcaktojë dhe shumë shpejt presim informacion specifik prej tyre”, tha Filipçe.

Ai gjithashtu tha se ka kërkuar të bëjë marrëveshje të drejtpërdrejta me kompanitë botërore farmaceutike AstraZeneca dhe Pfizer, për çka tha se pret konfirmim për sasinë shtesë të vaksinave. Filipçe gjithashtu tha se nëpërmjet kryeministrit Zaev, vendi ka aplikuar për 100 mijë vaksina shtesë nga mekanizmi i ofruar nga vendet e BE-së.

“Vaksinimi i punonjësve shëndetësorë do të kryhet brenda institucioneve shëndetësore publike ku ata punojnë. Vaksinimi do të jetë falas për qytetarët”, tha Filipçe.

Ai gjithashtu tha se prioritet për vaksinim do të kenë punonjësit shëndetësorë të angazhuar në luftën kundër COVID-19, më pas qytetarët mbi 65 vjeç, pacientët me sëmundje kronike dhe të punësuarit në infrastrukturën kritike dhe transport. Filipçe gjithashtu bëri thirrje që qytetarët të përmbahen nga festimet dhe tubimet në festat e fundvitit.

22 të vdekur dhe 1.100 raste të reja me COVID-19

Sipas të dhënave të sotme, Maqedonia e Veriut gjatë 24 orëve të fundit ka regjistruar 1.100 raste të tjera me COVID-19, duke e çuar numrin e përgjithshëm të të infektuarve nga ky virus në 66.330.

Sipas të dhënave nga Ministria e Shëndetësisë, në vend gjatë ditës së fundit po ashtu u regjistruan 30 viktima, me çka numri i viktimave nga ky virus është rritur në 1.877.

Numri i pacientëve të shëruar nga virusi është rritur në 42.241, përfshirë 585 pacientë të shëruar gjatë ditës së fundit. Numri i rasteve aktive aktualisht është 22.212.

Autoritetet shëndetësore të Maqedonisë së Veriut gjatë 24 orëve të fundit kanë kryer 2.824 teste të dyshuara për COVID-19, duke e çuar numrin e përgjithshëm të testeve të kryera në 344.085.

Kategoritë
LajmeVendi