Babai i kryeministrit britanik aplikon për nënshtetësi franceze

Stanley Johnson, babai i Kryeministrit britanik Boris Johnson, ka aplikuar për nënshtetësi franceze.

Duke folur në frëngjisht, Stanley Johnson, 80 vjeç, u shpreh për radion franceze “RTL” me këto fjalë: “Kjo s’ka të bëjë me natyralizimin në francez. Sepse, nëse nuk gabohem, unë jam francez. Nëna ime ka lindur në Francë, nëna e saj ishte krejt franceze ashtu si edhe gjyshi i saj. Pra, për mua ka të bëjë me rikuperimin e asaj që kam tashmë. Dhe kjo më bën shumë të lumtur. Unë gjithmonë do të jem një evropian, kjo është e sigurt. Askush nuk mund t’u thotë britanikë: ju nuk jeni evropianë. Të kesh një lidhje me Bashkimin Evropian është e rëndësishme.”

Babai i shefit të qeverisë britanike, ndryshe nga i biri, ishte fillimisht një kundërshtar i zjarrtë i Brexit-it, por një vit pas referendumit mbështeti kampin “Largohu”.

Nga ana tjetër, Kryeministri Boris Johnson tha se me anë të Brexit-it, Britania “rifitoi kontrollin” dhe u bë një “komb i ri e sovran”.

Boris Johnson nënshkroi të mërkurën marrëveshjen tregtare të Mbretërisë së Bashkuar me Bashkimin Evropian pas Brexit-it, ndërsa periudha e tranzicionit të vendit jashtë bllokut mbaron sonte pas 48 vjet anëtarësimi. Ai drejtoi fushatën për t’u larguar nga BE-ja në referendumin e Brexit-it, në vitin 2016.

Kategoritë
BotaLajme