Tahiri: Serbia kënaqet me seanca të KS si e sontmja, partnerët na kishin thënë të mos shkonte atje kryeministri apo presidentja

Kryeministri Albin Kurti dhe zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla-Schwarz, janë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku do të marrin pjesë në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, të thirrur nga Serbia.

Shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri tha se SHBA-ja, Britania e Madhe dhe Franca e kishin këshilluar Kosovën që në mbledhje të tilla të dërgonin përfaqësues të rangut më të ulët, e jo të përfaqësohej nga kryeministri apo presidentja, raporton Gazeta Express.

“E vetmja seancë dhe kënaqësi e Serbisë është me e ftu mbledhjen e Këshillit të Sigurimit për Kosovën, sepse aty në radhë të parë për Kosovën flet UNMIK-u. Ata gjithmonë kanë qef me na pa aty ku flet UNMIK-u për Kosovën dhe pastaj flasin përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës”, tha Tahiri.

“Ne në të kaluarën, së bashku me partnerët tanë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe me ata partnerë që janë anëtarë të përhershëm të Këshillit të Sigurimit si Britania e Madhe dhe Franca, jemi dakordu që sa më ulët me e përfaqësu Kosovën në atë nivel, sepse është UNMIK-u. Pra, mundësisht mos me shku as ministri i Jashtëm, as Presidenti, mirëpo me shku ambasadori”, shtoi ai.

Tahiri tha se kjo që po ndodh sonte “është një kurth, një grancë e Serbisë për me mujtë me e prezantu Kosovën bashkë me UNMIK-un”.

 

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreVendi