Ja çfarë do të thotë shenja “X” që e tregoi selektori i Egjiptit, gjyqtari e injoroi ankesën

Selektori i Egjiptit, Hossam Hassan, bëri një gjest të veçantë me duar kur mori karton të verdhë gjatë humbjes së vendit të tij ndaj Argjentinës me rezultat 3:2 në Kupën e Botës. Ja çfarë do të thotë kjo shenjë.

Egjiptianët mbetën të befasuar nga gjykimi gjatë gjithë ndeshjes kundër Argjentinës, por në fund duhet të fajësojnë edhe veten, pasi në 11 minutat e fundit të ndeshjes lëshuan epërsinë 2:0 dhe u mposhtën 3:2.

Megjithatë, debati më i madh shpërtheu në kohën shtesë të ndeshjes, kur Enzo Fernandez shënoi golin për rezultatin përfundimtar 3:2 dhe përmbysjen e madhe të Argjentinës.

Egjiptianët u ankuan për një situatë paraprake në të njëjtin aksion, pasi konsideronin se Mohamed Salah ishte faulluar dhe se gjyqtari Francois Letexier duhej të tregonte pikën e bardhë.

Megjithatë, gjyqtari e refuzoi këtë, ndërsa më pas shpërtheu kaosi pranë vijës anësore. Selektori i Egjiptit, Hossam Hassan, tregoi me duar simbolin “X”. Ja çfarë do të thotë kjo.

Në fakt, ky është simboli i ri i FIFA-s për lojtarët dhe zyrtarët që raportojnë incidente raciste, ku mund të përfshihen edhe fyerjet fetare.

Sipas FIFA-s, kryqëzimi i duarve është mënyra me të cilën gjyqtarët, lojtarët dhe personat zyrtarë raportojnë sjellje raciste. Në atë moment, gjyqtarit i jepet e drejta të vendosë nëse do ta ndërpresë ndeshjen apo jo.

Nuk është e qartë pse Hassan e tregoi këtë shenjë dhe nëse dikush i tha diçka apo e ofendoi, por gjyqtari Letexier nuk reagoi. Përkundrazi, ai e “shpërbleu” me karton të verdhë për protesta.

Pritet që, nëse ka pasur ndonjë incident racist, FIFA ta hetojë rastin dhe t’i dënojë autorët.

Kategoritë
Sport