“Sipas të dhënave të Zyrës Ndërlidhëse të Republikës së Kosovës në Serbi, që nga viti 2025 janë evidentuar katër raste të shtetasve të Kosovës ndaj të cilëve janë iniciuar procedura penale nga autoritetet serbe”, njoftoi ministria kosovare.
Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës u ka bërë thirrje qytetarëve të Kosovës, përfshirë bashkatdhetarëve që jetojnë në mërgatë dhe planifikojnë të udhëtojnë drejt Kosovës, që t’i përdorin rrugët alternative dhe ta shmangin kalimin përmes Serbisë, transmeton Anadolu.
MPJD në një përgjigje për televizionin publik tha se po e monitoron me vëmendje situatën e qytetarëve të Kosovës që udhëtojnë tranzit në territorin e Serbisë.
“MPJD vazhdimisht u ka bërë thirrje qytetarëve të Kosovës, përfshirë bashkatdhetarët tanë që jetojnë në mërgatë dhe planifikojnë të udhëtojnë drejt Kosovës, që të përdorin rrugë alternative dhe të shmangin kalimin përmes Serbisë, duke pasur parasysh rastet e përsëritura të ndalimeve dhe arrestimeve të qytetarëve të Republikës së Kosovës nga autoritetet serbe”, thuhet në përgjigjen e ministrisë.
MPJD tha se aktualisht nuk ka të dhëna të sakta për numrin e saktë të rasteve të ndalimeve të shtetasve të Kosovës gjatë dy viteve të fundit në Serbi.
“Sipas të dhënave të Zyrës Ndërlidhëse të Republikës së Kosovës në Serbi, që nga viti 2025 janë evidentuar katër raste të shtetasve të Republikës së Kosovës ndaj të cilëve janë iniciuar procedura penale nga autoritetet serbe nën akuza që lidhen me krime lufte, nxitje të urrejtjes dhe cenim të rendit kushtetues të Serbisë”, thuhet tutje në reagimin e ministrisë.
Sipas MPJD përmes Zyrës Ndërlidhëse të Republikës së Kosovës në Serbi, monitoron dhe trajton çdo rast të raportuar nga qytetarët ose familjarët e tyre dhe njoftuar vazhdimisht delegacionin e Bashkimit Evropian në Serbi, si dhe ka dërguar nota verbale pranë misioneve diplomatike të vendeve të Quint-it të akredituara në Serbi.
Sezoni i pushimeve ka shtuar ndjeshëm numrin e mërgimtarëve drejt Kosovës që kalojnë nëpër Serbi. Para pak ditësh autoritetet serbe arrestuan Osmam Selmanin nën dyshimet e Serbisë për krime lufte të pretenduara në vitin 1999.











