Gazetari i bëri Rutte-s një pyetje provokuese: A ndikon në vetëvlerësimin tuaj kur uleni pranë Trumpit dhe nuk thoni asgjë?

Gjatë konferencës për media të mërkurën, gazetari danez Rasmus Svaneborg nga agjencia e lajmeve Ritzau e pyeti drejtpërdrejt sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, nëse lavdërimet e tij publike për presidentin amerikan Donald Trump ndikojnë në vetëvlerësimin e tij.

Svaneborg rikujtoi se Rutte ulet pranë Trumpit ndërsa presidenti amerikan flet për marrjen e Grenlandës, kritikon aleatë si Spanja dhe nis konflikte tregtare, duke vlerësuar se duket sikur me qëndrime të tilla “Mark Rutte i vjetër” nuk do të ishte pajtuar.

“A ka kjo ndonjë ndikim në vetëvlerësimin tuaj, kur uleni pranë tij dhe nuk thoni asgjë?”, pyeti gazetari danez.

Rutte u përgjigj se gjithmonë jep mirënjohje aty ku mendon se ajo është e merituar, duke theksuar se Trump duhet lavdëruar për, siç tha ai, forcimin e NATO-s.

“Mendoj se Donald Trump duhet lavdëruar për faktin se NATO sot është shumë më e fortë. Natyrisht, kjo lidhet edhe me kërcënimin rus dhe luftën në Ukrainë, por edhe me faktin se presidenti Trump arriti atë që Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë përpjekur ta arrijnë që nga koha e Dwight Eisenhowerit, e që është balancimi i shpenzimeve për mbrojtje mes SHBA-së dhe Evropës”, tha Rutte.

Ai shtoi se një zhvillim i tillë e bën Evropën më të fortë dhe një partner më relevant për Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Duke folur për Grenlandën, Rutte rikujtoi një takim të mëhershëm me Trumpin në Davos.

“I thashë se pajtohem kur bëhet fjalë për interesin rus dhe kinez në Arktik, por se këtë duhet ta bëjmë së bashku. Për këtë e kemi NATO-n dhe duhet të veprojmë bashkërisht”, tha Rutte.

Ish-kryeministri i Holandës, muajt e fundit, është gjendur mes kritikave të Trumpit ndaj NATO-s dhe deklaratave të tij publike për dëshirën që Grenlanda të kalojë nën kontrollin amerikan, ndërsa njëkohësisht përpiqet të ruajë unitetin e Aleancës me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara.

Kërcënimet e vazhdueshme të Trumpit në lidhje me Grenlandën e kanë bërë presidentin amerikan jashtëzakonisht jopopullor në Danimarkë, por edhe në shtete të tjera evropiane që janë të shqetësuara për sigurinë e tyre.

Kategoritë
BotaLajme