Presidenti turk Erdogan bën thirrje për heqjen e kufizimeve të bashkëpunimit në mbrojtje midis aleatëve të NATO-s

“Pa dyshim, suksesi më i madh i vendit tonë qëndron në përparimin që kemi arritur në industrinë e mbrojtjes”, thotë Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan.

Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, bëri thirrje të mërkurën për heqjen e kufizimeve për bashkëpunimin në mbrojtje midis aleatëve të NATO-s, transmeton Anadolu.

“Kufizimet midis aleatëve në lidhje me bashkëpunimin në mbrojtje, veçanërisht në industrinë e mbrojtjes, duhet të hiqen,” tha Erdogan në takimin e Këshillit të Atlantikut të Veriut në nivel të krerëve të shteteve dhe qeverive në kryeqytetin turk Ankara.

Erdogan theksoi se edhe pse aleatët evropianë marrin përgjegjësi më të madhe për mbrojtjen e kontinentit, ata duhet të shmangin politikat që mund të dobësojnë unitetin e NATO-s ose lidhjet transatlantike.

“Ndërsa aleatët evropianë marrin përgjegjësi më të madhe për mbrojtjen e kontinentit, ne duhet të përmbahemi nga masat që mund të dëmtojnë kohezionin dhe marrëdhëniet transatlantike të aleancës,” tha ai.

Duke theksuar sektorin e mbrojtjes në rritje të Turqisë, Erdogan tha se arritja më e madhe e vendit në vitet e fundit ka qenë përparimet të mëdha në industrinë e mbrojtjes.

“Pa dyshim, suksesi më i madh i vendit tonë qëndron në përparimin që kemi arritur në industrinë e mbrojtjes”, tha ai, duke shtuar se Turqia është bërë një nga 10 vendet më të mira në botë për sa i përket prodhimit të mbrojtjes dhe kapacitetit të eksportit.

Turqia do të rrisë shpenzimet e mbrojtjes në nivelin 3,5 për qind para vitit 2030.

Erdogan ripohoi gjithashtu angazhimin e Ankarasë për të forcuar kontributin e saj në NATO duke rritur shpenzimet e mbrojtjes.

– “Turqia ka marrë masa për të rritur raportin e shpenzimeve tona të mbrojtjes në nivelin 3,5 për qind përpara vitit 2030”

Erdogan tha se Turqia ka ndarë tashmë 1,5 për qind të buxhetit të saj për shpenzimet e lidhura me sigurinë dhe qëndrueshmërinë.

Ai njoftoi gjithashtu se Turqia ka caktuar një shtesë prej 24 miliardë dollarësh për projektin e saj të mbrojtjes ajrore dhe raketore të Kupolës së Çelikut, duke thënë se investimi synon të forcojë një nga boshllëqet më kritike të aftësive të NATO-s.

Duke theksuar rolin e Turqisë brenda NATO-s, Erdogan tha se vendi, i cili ka ushtrinë më të madhe tokësore në Evropë, mbetet i gatshëm të vendosë aftësitë e veta ushtarake në dispozicion të aleancës sa herë që të jetë e nevojshme.

Ai vuri në dukje se Turqia është ndër kontribuesit kryesorë në operacionet, misionet dhe stërvitjet e NATO-s në Kosovë, Detin e Zi, rajonin Baltik dhe zona të tjera.

Erdogan tha gjithashtu se Turqia shpreson të sigurojë akreditimin e NATO-s për Qendrën e saj të planifikuar të Ekselencës për Kundërshtimin e Sistemeve Pa pilot, duke përmendur përvojën e vendit në vendosjen e suksesshme të mjeteve ajrore pa pilot në fushat e betejës reale.

“Unë besoj se kjo qendër do të forcojë aftësinë tonë për të kundërshtuar kërcënimet e paraqitura, në veçanti, nga dronët ajrore dhe detare,” shtoi ai.

– “Zgjidhja me dy shtete është çelësi për paqen e qëndrueshme në Lindjen e Mesme”

Duke iu kthyer zhvillimeve në Lindjen e Mesme, Erdogan shprehu mbështetjen e Turqisë për një zgjidhje me dy shtete midis Izraelit dhe Palestinës.

“E theksoj edhe një herë se zgjidhja me dy shtete është çelësi i paqes së qëndrueshme në Lindjen e Mesme”, tha ai, duke shtuar: “Dëshiroj gjithashtu të them se është detyrë e të gjithëve ne të sigurojmë qetësinë, veçanërisht në Gaza dhe Liban”.

Erdogan u kërkoi gjithashtu aleatëve të NATO-s të qëndrojnë në “solidaritet të plotë” kundër terrorizmit.

Presidenti turk përshëndeti gjithashtu “qëndrimin e vendosur” të presidentit amerikan Donald Trump për zgjidhjen e tensioneve që përfshijnë Iranin.

“Unë vlerësoj qëndrimin e vendosur të mbështetur nga miku im zoti Trump, i cili ka ndihmuar në vendosjen e zgjidhjes së krizës së Iranit në rrugën e duhur, pavarësisht përpjekjeve për sabotim,” tha Erdogan.

Turqia është e gatshme të kontribuojë në përpjekjet për pastrimin e minave nga Ngushtica e Hormuzit, shtoi ai.

Lidhur me luftën në Ukrainë, Erdogan tha se Turqia vazhdon të mbajë komunikim me Kievin dhe Moskën në një përpjekje për të çuar përpara paqen.

“Ndërsa mbështesim Ukrainën, ne po përdorim gjithashtu kanalet tona të komunikimit për të inkurajuar Rusinë drejt paqes,” tha ai.

Presidenti turk miratoi gjithashtu përpjekjet e Trumpit për t’i dhënë fund konfliktit.

“Ne ndajmë vizionin e Trumpit për paqen në luftën e Ukrainës dhe shprehim mbështetjen tonë për iniciativën që adreson nevojat prioritare të Ukrainës”, tha Erdogan.

Kategoritë
BotaLajme