Komisioni Evropian në anën e Serbisë, por një shtet po përgatit “dush të ftohtë” për Beogradin: “Vetoja është gati”

Komisioni Evropian me gjasë nuk do ta marrë mbështetjen e nevojshme nga shtetet anëtare për vazhdimin e procesit të anëtarësimit të Serbisë në Bashkimin Evropian, gjë që tregon ndarjet gjithnjë e më të mëdha rreth kritereve për zgjerimin e BE-së.

Të mërkurën, Komisioni do t’u propozojë ambasadorëve të shteteve anëtare hapjen e klasterit të tretë negociues me Serbinë, i cili përfshin reformat e nevojshme për përafrimin me tregun e përbashkët të BE-së, përfshirë ofrimin e lirë të shërbimeve, njohjen e kualifikimeve profesionale dhe lehtësimin e biznesit përtej kufijve.

Megjithatë, disa shtete anëtare, mes tyre edhe Holanda, janë kundër këtij propozimi dhe janë të gatshme të vendosin veto. Vendimi kërkon mbështetje unanime nga të gjitha 27 vendet anëtare të BE-së.

Kundërshtarët e vendimit konsiderojnë se Serbia nuk ka arritur progres të mjaftueshëm në fushën e sundimit të ligjit, pavarësisë së gjyqësorit, luftës kundër korrupsionit dhe mbrojtjes së të drejtave të njeriut. Ata gjithashtu paralajmërojnë se marrëdhëniet e ngushta të Serbisë me Rusinë dërgojnë mesazh të gabuar politik, veçanërisht në kohën kur Ukraina dhe Moldavia ende nuk i kanë hapur të gjitha klasterët negociues.

Nga ana tjetër, Komisioni Evropian vlerëson se Serbia gjatë muajve të fundit ka përmbushur një pjesë të rëndësishme të detyrimeve të saj dhe ka eliminuar mangësitë e evidentuara më herët, prandaj rekomandon hapjen e klasterit të ri.

Ministri serb për Integrime Evropiane, Nemanja Staroviq, deklaroi se Serbia po pret prej gati pesë vitesh këtë hap dhe se një shtyrje e re do t’i dobësonte forcat proevropiane në vend dhe do t’i dekurajonte reformat e mëtejshme.

Megjithatë, një raport tjetër i brendshëm i Komisionit Evropian paralajmëron për përkeqësim të gjendjes në fushën e të drejtave të njeriut. Në të thuhet se janë shtuar presionet ndaj organizatave të shoqërisë civile dhe gazetarëve, si dhe se nuk është arritur progres në hetimet e aferave të mëdha korruptive, përfshirë rastin e shembjes së strehës në stacionin hekurudhor në Novi Sad, ku humbën jetën 16 persona.

Nëse shtetet anëtare nuk e miratojnë hapjen e klasterit të tretë, Komisioni do të përpiqet të gjejë mënyra të tjera për ta shpërblyer Serbinë për reformat e zbatuara. Megjithatë, vendimi përfundimtar me gjasë do të shtyhet, sidomos për shkak të zgjedhjeve të parakohshme që priten në Serbi, në të cilat pritet që presidenti Aleksandar Vuçiq të kandidojë për kryeministër, shkruan Politico.

Ministri i Jashtëm i Serbisë, Marko Gjuriq, deklaroi se anëtarësimi i Serbisë në BE është në interes si të Serbisë, ashtu edhe të Bashkimit Evropian, duke shtuar se Beogradi gjatë muajve të fundit ka miratuar reforma të rëndësishme ligjore dhe institucionale në përputhje me rekomandimet e Komisionit Evropian.

Kategoritë
LajmeRajoni