Mjeshtri Gorani thotë se pas tij, zanati do të shuhet, ngase atë nuk dëshiron ta marrë asnjëri nga dy djemtë e tij. Në Pejë ai mbetet mjeshtri i fundit i këtij zanati tradicional.
Në zemër të qytetit të Pejës, në një punishte të vogël që mban histori mbi një shekull, Blerim Gorani vazhdon të mbajë gjallë një zanat të rrallë që po i afrohet fundit, shkruan Anadolu.
Briskataria në këtë familje ka nisur në vitin 1888 dhe është trashëguar brez pas brezi.
Fillimisht, disa familje në këtë hapësirë merreshin me punimin e veglave të ndryshme, përfshirë edhe pushkë e tyfekë, zanat që u ndërpre kryesisht gjatë periudhës së luftërave në Ballkan.

Më vonë, rreth viteve 1925–1930, familja Gorani nisi të merrej me përpunimin e gërshërëve për qethjen e dhenve dhe prodhimin e brisqeve nga brirët e dashit dhe buallicës – një traditë që u ruajt për dekada.
“Deri pas luftës vazhduam kështu, deri në vitin 2003, sepse ishte problemi i gjetjes së brirëve dhe nuk kishte interesim të madh nga klientët për gërshërë të dhenve, sepse filluan të dalin mjete më të sofistikuara, me rrymë”, thotë Gorani.
Në punishten e tij ruhen ende vegla me vlera historike, disa prej të cilave janë rreth 100 vjeçare.

“Elementin më të vjetër këtu në lokal i kemi këto gërshërë me të cilën dikur qetheshin dhentë. Këto i kanë ndoshta 100 vjet, sepse janë edhe të riparuara. Këto gërshërë janë punuar nga xhaxhai i babait tim me babain tim të cilët punuan së bashku deri në fund të viteve të 70-ta”, tha Gorani.
Gorani thotë se në shekullin e ri zanati që ai ushtron nuk është dhe aq fitimprurës, krahasuar me shekullin e kaluar.
“Tash më shumë e bëj mprehjen e tyre: gërshërëve, brisqeve, thikave dhe ajo çfarë prodhoj është vetëm brisqet me brinj të dashit dhe bëj riparime”, thotë Gorani.
Mjeshtri Gorani thotë se pas tij, zanati do të shuhet, ngase atë nuk dëshiron ta marrë asnjëri nga dy djemtë e tij. Në Pejë ai mbetet mjeshtri i fundit i këtij zanati tradicional.










