Një anketë e re e AP-NORC ka treguar rënie të mbështetjes për Izraelin në SHBA, veçanërisht mes demokratëve, ndërsa opinioni publik amerikan po ndahet gjithnjë e më shumë rreth luftës në Gaza dhe politikës së Washingtonit.
Hulumtimi i agjencisë The Associated Press dhe qendrës NORC u publikua në një kohë kur uniteti i dikurshëm dypartiak për mbështetjen e Izraelit është shndërruar në një nga çështjet më të diskutueshme në politikën amerikane.
Ndryshimi i qëndrimit është përshpejtuar edhe më shumë nga lufta në Gaza, pothuajse tre vjet pas sulmit të Hamasit më 7 tetor 2023, kur në Izrael u vranë 1.200 persona, kryesisht civilë, ndërsa 251 pengje u dërguan në Gaza.
Sipas anketës, rreth një e treta e amerikanëve të rritur, përfshirë afërsisht gjysmën e demokratëve, konsiderojnë se Izraeli gjatë luftës në Gaza ka kryer gjenocid ndaj palestinezëve.
Rreth 20 për qind e të anketuarve thonë se nuk ka kryer, ndërsa afërsisht gjysma deklarojnë se nuk kanë mjaftueshëm informacion për ta bërë një vlerësim të tillë. Mes të anketuarve të rritur hebrenj, 30 për qind ndajnë mendimin se është kryer gjenocid, ndërsa 49 për qind mendojnë të kundërtën.
Harold Kalmus, një demokrat 69-vjeçar nga Delaware, tha se nuk e sheh më Izraelin si më parë. Duke folur për veprimet ushtarake izraelite ndaj palestinezëve, ai u shpreh: “E kuptoj se ekziston një kërcënim nga Hamasi. E kuptoj gjithashtu se janë në një situatë shumë të vështirë, por ajo që kanë bërë është thjesht një tmerr i papërshkrueshëm.”
Anketa tregon edhe një kthesë të thellë mes demokratëve. 58 për qind e tyre tani mendojnë se Shtetet e Bashkuara janë “tepër të favorshme ndaj Izraelit”, një rritje krahasuar me 45 për qind në janar të vitit 2024.
Në të njëjtën kohë, 62 për qind e demokratëve thonë se SHBA-ja nuk i ka mbështetur mjaftueshëm palestinezët. Mes republikanëve mbizotëron qëndrimi se mbështetja amerikane për Izraelin është “përafërsisht e duhur”, por edhe në këtë parti votuesit më të rinj janë më kritikë se të moshuarit.
Anketa u realizua nga 11 deri më 17 qershor, me një mostër prej 3.040 të rriturish, përfshirë 1.022 të anketuar hebrenj. Tema e marrëdhënieve SHBA-Izrael mbetet e rëndësishme në politikën amerikane para zgjedhjeve për Kongres, megjithëse shumë qytetarë si çështje më të rëndësishme veçojnë ekonominë dhe rritjen e kostos së jetesës.











