BQK dhe Banka Qendrore e Emirateve nënshkruajnë memorandum bashkëpunimi për zhvillimin e sektorit financiar

Në kuadër të këtij memorandumi të dyja palët do të avancojnë koordinimin në fushat mbikëqyrëse dhe rregullative.

Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), Ahmet Ismaili dhe guvernatori i Bankës Qendrore të Emirateve të Bashkuara Arabe (CBUAE), Khaled Mohamed Balama, kanë nënshkruar Memorandum Mirëkuptimi, që synon forcimin e marrëdhënieve bilaterale dhe lehtësimin e shkëmbimit të informacionit dhe ekspertizës në fushat me interes të përbashkët.

Siç njofton BQK-ja, nënshkrimi u nënshkrua në selinë e CBUAE-së në Abu Dhabi dhe në kuadër të këtij memorandumi të dyja palët do të avancojnë koordinimin në fushat mbikëqyrëse dhe rregullative, si dhe do të shkëmbejnë ekspertizë lidhur me zhvillimin e teknologjisë financiare, politikën monetare, masat makroprudenciale dhe stabilitetin financiar.

Memorandumi i Mirëkuptimit përfshin gjithashtu një numër fushash prioritare, përfshirë mbrojtjen e konsumatorëve financiar, përfshirjen dhe edukimin financiar, bankimin me parime islame, mbikëqyrjen bankare, mbikëqyrjen dhe vëzhgimin e sistemeve të pagesave, zbatimin e standardeve ndërkombëtare prudenciale, si dhe parandalimin e pastrimit të parave dhe luftimin e financimit të terrorizmit (AML/CFT), në përputhje me ligjet dhe rregulloret e zbatueshme të të dyja palëve.

Duke komentuar nënshkrimin, Balama tha se Memorandumi i Mirëkuptimit me BQK-në vjen në një kohë të transformimeve të shpejta në sektorin financiar global, të cilat kërkojnë kanale më të fuqishme institucionale të bashkëpunimit ndërmjet bankave qendrore dhe autoriteteve mbikëqyrëse.

“Përmes këtij Memorandumi Mirëkuptimi, synojmë të shkëmbejmë njohuri dhe praktika më të mira që rrisin gatishmërinë dhe aftësinë e sektorit financiar për të ecur në hap me ndryshimet, në mbështetje të vizionit të lidershipit tonë dhe interesave të ndërsjella të të dy vendeve”, tha Balama.

Ndërkohë, Ismaili tha se ky memorandum i parë i mirëkuptimit me CBUAE-në përbën një moment historik për BQK-në.

“Ai pasqyron përkushtimin tonë për zgjerimin e bashkëpunimit ndërkombëtar me institucione partnere me reputacion të lartë, forcimin e kapaciteteve tona institucionale dhe mbështetjen e modernizimit të vazhdueshëm të sektorit financiar të Kosovës, në përputhje me standardet ndërkombëtare dhe praktikat më të mira”, tha Ismaili.

Kategoritë
EkonomiLajmeLajmet KryesoreVendi