Fillon “Marshi i Paqes”, mbi 6.300 pjesëmarrës nderojnë viktimat e gjenocidit në Srebrenicë

Amra Hashemi mbërriti nga Austria, me origjinë nga Srebrenica. Në “Marshin e Paqes” sot u nis me bashkëshortin Seyed Ali Hashemi, me origjinë nga Irani, dhe vajzën e tyre trevjeçare Alea Zina.

Pak më shumë se 6.300 pjesëmarrës nga pjesë të ndryshme të botës u nisën në mëngjes nga Nezuku, në lindje të Bosnjë e Hercegovinës, në “Marshin e Paqes” treditor drejt Potoçarit, për të nderuar mijëra burra dhe djem të vrarë në gjenocidin në Srebrenicë në korrik të vitit 1995, raporton Anadolu.

Pjesëmarrësit e “Marshit të Paqes” gjatë tri ditëve të ardhshme do të ecin më shumë se 100 kilometra në trasenë nëpër të cilën mijëra boshnjakë në korrik të vitit 1995 u përpoqën të depërtonin drejt territorit të lirë dhe të gjenin shpëtim, ku për shumë prej tyre ishte “rruga pa kthim”.

Pjesëmarrësit e “Marshit të Paqes” pritet të arrijnë në Potoçari më 10 korrik, ndërsa një ditë më pas do të marrin pjesë në varrimin kolektiv në varrezat e Qendrës Përkujtimore të Srebrenicës, ku këtë vit do të varrosen eshtrat mortore të edhe dhjetë viktimave të gjenocidit.

Ismeta Selman nga Travniku merr pjesë për herë të tretë në “Marshin e Paqes”. Në një bisedë për Anadolu ajo thekson se çdokush të paktën një herë në jetë duhet të vijë në “Marshin e Paqes”.

“Nuk e di si është për njerëzit e tjerë, por për mua çdo herë është më e vështirë, por do të vij sa herë që të mundem. Është detyra jonë që kjo të mos harrohet. Gjithmonë duhet ta kemi parasysh atë që na ka ndodhur dhe atë që mund të na ndodhë”, porosit Selman.

Në rrugën drejt Potoçarit ajo niset e mbështjellë me flamurin e Palestinës, gjë të cilën e shpjegon me fjalët: “E mbaj flamurin e Palestinës në çdo marsh, sepse kjo është gjëja më e vogël që mund të bëj për ta”.

– Gruaja nga Srebrenica në Marsh me vajzën trevjeçare

Amra Hashemi mbërriti nga Austria, ndërsa me origjinë është nga Srebrenica. Në “Marshin e Paqes” sot u nis me bashkëshortin Seyed Ali Hashemi, me origjinë nga Irani, dhe vajzën e saj trevjeçare Alea Zina.

“Ne jetojmë në Austri dhe kemi ardhur këtu në ‘Marshin e Paqes’, për herë të parë me vajzën tonë”, tha Amra, shumë të afërm të së cilës humbën jetën në gjenocid.

Në pyetjen se si ndihet sot në fillim të “Marshit të Paqes” në Nezuk, ajo u përgjigj:

“Besoj se ende nuk jam e vetëdijshme për gjithçka, pres që kjo të qetësohet kur të kalojmë një pjesë të caktuar të rrugës. Mund të them se jam krenare që arrita të vij me vajzën time”, tha Amra, duke theksuar se në këtë mënyrë dëshiron të dërgojë mesazh se kujtimi për Srebrenicën duhet të ruhet dhe t’u përcillet brezave të rinj.

Me vajzën trevjeçare rruga sigurisht nuk do të jetë e lehtë, por Amra ka mbështetjen e plotë të bashkëshortit Seyed.

“Unë tashmë jam për pesë vjet e gjysmë anëtar i një familjeje boshnjake. Kam dëgjuar shumë tregime për Srebrenicën, ndaj atë dhimbje dhe kam respekt të madh. Jam krenar që jam sot këtu, ashtu si edhe nëna ime. Ne jemi pjesë e Bosnjës. Ajo që mendoj sot është se si ka qenë për ata njerëz që iknin nga vdekja të frikësuar”, tha Hashemi.

Mirzet Omeroviq është gjithashtu nga Srebrenica, i cili sot jeton në Suedi. Në “Marshin e Paqes” është e pranishme një grup nga Xhemati i Stokholmit me rreth 25 persona.

“Është shumë emocionale. Këto ditë jemi me më të afërmit tanë. U japim mbështetje atyre që mbijetuan, i japim mbështetje Bosnjë e Hercegovinës. Sepse në fund, arritëm të mbijetojmë, arritëm të qëndrojmë”, thekson Omeroviq.

Shumë të afërm dhe miq janë vrarë në Srebrenicë, është e vështirë të numërohen të gjithë.

“Prandaj duhet të jemi të bashkuar. Nëse jemi së bashku në këtë rrugë, nëse së bashku e mbrojmë Bosnjë e Hercegovinën, askush nuk mund të na bëjë asgjë. Ne arritëm të mbijetojmë diçka të pamundur në vitin 1995. Nëse jemi të fortë dhe të bashkuar, askush nuk mund të na bëjë asgjë”, thekson Omeroviq.

Mes pjesëmarrësve është edhe 77-vjeçari Mirsad Mehinagiq nga qyteti malazez Bar, për të cilin ky është “Marshi i Paqes” i 20-të.

“Kjo është një detyrë për mua, nuk duhet të harrojmë. Të gjithë duhet patjetër të vijnë të paktën një herë këtu, që ta ndjejnë me qenien e tyre atë që kanë kaluar njerëzit. Kur jam në marsh, kujtesa ime, përjetimi im i marshit është njësoj sikur dikush po më ndjek. Sikur dikush do të kryejë gjenocid ndaj të gjithëve neve këtu. Të tilla janë ndjenjat e mia në çdo marsh. Sidomos kur zbresim poshtë, pastaj nxjerrim tabutet dhe kur falim xhenazen”, përfundon Mehinagiq.

– “Marshi i Paqes” aktivitet përkujtimor

“Marshi i Paqes” është një aktivitet përkujtimor që mbahet çdo vit, në korrik, me rastin e shënimit të përvjetorit të gjenocidit ndaj boshnjakëve të “zonës së sigurt të Kombeve të Bashkuara” në Srebrenicë në korrik të vitit 1995. Ai synon gjithashtu ndërtimin, përmirësimin dhe kultivimin e kulturës së kujtesës për gjenocidin ndaj boshnjakëve në Srebrenicë, si dhe pengimin e mohimit, kundërshtimit dhe relativizimit të krimeve të gjenocidit.

Udhëtimi zgjat tri ditë dhe pjesëmarrësit ecin në një shteg rreth njëqind kilometra të gjatë nga Nezuku deri në Potoçari. Në këtë shteg në drejtim të kundërt, nga Potoçari drejt Nezukut, në korrik të vitit 1995 u tërhoqën dhe depërtuan boshnjakët gjatë pushtimit dhe marrjes së “zonës së sigurt të Kombeve të Bashkuara” Srebrenicë nga forcat ushtarake dhe policore serbe.

Pjesëmarrësit e “Marshit të Paqes” ecin rreth 30 kilometra në ditë dhe në vende të caktuara shtegu është jashtëzakonisht i vështirë, i paarritshëm dhe kërkon përgatitje të mirë fizike.

– Dhjetë viktima të gjenocidit do të varrosen më 11 korrik

Eshtrat edhe të dhjetë viktimave të gjenocidit në Srebrenicë, të kryer nga pjesëtarët e Ushtrisë së Republikës Sërpska dhe ndihmësit e tyre në korrik të vitit 1995, janë gati për varrim në varrimin kolektiv më 11 korrik në Qendrën Përkujtimore të Srebrenicës në Potoçari.

Eshtrat të dy viktimave u gjetën dhe u zhvarrosën në vitin 1997, ndërsa eshtrat e viktimave të tjera u zhvarrosën në periudhën nga viti 2001 deri në vitin 2022 në lokacionet Kamenica, Jelovaçka Çeshma, Budak, Glogova.

Viktima më e re që do të varroset këtë vit është Senad (Zaim) Jusiq, i lindur në vitin 1975, i cili në momentin e vdekjes kishte vetëm 20 vjeç. Ai u zhduk në korrik të vitit 1995 në zonën e Bratunacit, ndërsa eshtrat e tij u zhvarrosën në vitin 2022 në lokacionin Kamenicko Brdo.

Viktima më e vjetër është Ramo (Mustafa) Dautoviq, i lindur në vitin 1939. Ramo ka lindur në Srebrenicë, u zhduk në zonën e Zvornikut, ndërsa eshtrat e tij u zhvarrosën në vitin 2001 pas zbulimit të varrezës masive Kamenica – Çançari. Ai do të gjejë prehjen përfundimtare pranë vëllait të tij Jusos, i varrosur më herët.

Në Qendrën Përkujtimore të Srebrenicës – Potoçari deri më tani janë varrosur 6.772 viktima të gjenocidit, ndërsa 250 viktima janë varrosur në varrezat lokale me vendim të familjarëve.

Viktimat vijnë nga komuna të ndryshme, ndërsa shumica prej tyre janë nga zona e Bosnjës lindore dhe Hercegovinës – Srebrenica, Bratunac, Vlasenicë, Zvornik dhe Miliq.

Viktimat e gjenocidit janë gjetur në 150 lokacione të ndryshme. Prej tyre, në 77 varreza masive të zbuluara pas luftës. Viktima më e re e varrosur deri më tani në Potoçari ishte foshnja Fatima Muhiq, ndërsa më e vjetra gjyshja Shaha Izmirliq, e lindur në vitin 1901.

Për më shumë se një mijë viktima të gjenocidit në Srebrenicë ende po kërkohet.

– Krimet dhe dënimet

Tribunali i Hagës, Gjykata e Bosnjë e Hercegovinës dhe gjyqësitë në Serbi dhe Kroaci deri më tani kanë dënuar gjithsej 54 persona me 781 vjet burg dhe pesë dënime me burgim të përjetshëm – për gjenocid, krime kundër njerëzimit dhe krime të tjera të kryera në Srebrenicë në korrik të vitit 1995.

Prej tyre, Gjykata Ndërkombëtare Penale për ish-Jugosllavinë (GJPNJ) në Hagë për shkak të gjenocidit dhe krimeve të tjera të kryera në Srebrenicë ka dënuar 18 persona, të cilëve u janë dhënë pesë dënime me burgim të përjetshëm dhe 219 vjet burg.

Me burgim të përjetshëm për gjenocid janë dënuar Ratko Mlladiq, Radovan Karaxhiq, Zdravko Tolimir, Vujadin Popoviq, Ljubisha Beara, ndërsa me 35 vjet burg janë dënuar Radislav Krstiq dhe Drago Nikoliq.

Për krime të tjera në Srebrenicë, GJPNJ dënoi 11 persona.

Gjykata e Bosnjë e Hercegovinës për gjenocidin dhe krimet e tjera të kryera në Srebrenicë ka dënuar 27 persona me gjithsej 446 vjet burg. Për gjenocid janë dënuar 14 persona me gjithsej 243 vjet burg, ndërsa për krime të tjera të kryera në Srebrenicë janë dënuar 14 persona me 221 vjet burg, publikoi Detektor.ba.

​​​

– Gjyqësitë e Serbisë dhe Kroacisë

Në Serbi janë dënuar pesë persona me gjithsej 68 vjet burg për krimet në Srebrenicë, prej të cilëve katër ish-pjesëtarë të njësisë “Akrepat” janë dënuar për vrasjet e srebrenicasve në Trnovo, pranë Sarajevës.

Në Kroaci janë dënuar dy ish-pjesëtarë të “Akreprave” me nga 15 vjet burg.

Dhjetë të akuzuar për gjenocid dhe krime të tjera të kryera në korrik të vitit 1995 në Srebrenicë aktualisht janë të paarritshëm për drejtësinë.

Kategoritë
LajmeRajoni