Zinxhiri gjerman i marketeve me çmime të ulëta, Aldi Süd, ka njoftuar se në kuadër të strategjive për menaxhimin e kostove do të reduktojë stafin dhe do të ndërpresë marrëdhënien e punës me 1250 punonjës. Sipas mediave gjermane, në vend të largimeve direkte nga puna, kompania do të inkurajojë “largime vullnetare”.
Menaxhmenti i kompanisë, gjatë një takimi online me punonjësit në selinë në Mülheim an der Ruhr, bëri të ditur se 1250 vende pune në sektorin e teknologjisë së informacionit do të shkurtohen.
Pritet që pjesa më e madhe e këtyre largimeve të prekë njësinë “Aldi DX”, e cila është përgjegjëse për proceset e transformimit digjital të grupit.
Sipas gazetës ekonomike gjermane Handelsblatt, në këtë njësi pritet të largohen më shumë se 1000 punonjës.
“Do t’u kërkohet të largohen vullnetarisht”
Menaxhmenti i kompanisë planifikon të ofrojë paketa kompensimi dhe përfitime sociale për të nxitur punonjësit të largohen vullnetarisht, në vend të pushimeve direkte nga puna.
Një nga arsyet kryesore të humbjes së vendeve të punës është edhe centralizimi i funksioneve operative në selinë ndërkombëtare të holdingut në Salzburg.
Nga ana tjetër, më herët në janar ishte raportuar se, si rezultat i bashkimit të aktiviteteve që më parë kryheshin nga degët lokale në një strukturë qendrore, kompania pritet të shkurtojë edhe rreth 500 vende të tjera pune në Gjermani.










