Zoran Milanović provokoi Serbinë në Samitin e NATO-s: Shpresoj të mos blejnë aeroplanmbajtëse me rrota

Presidenti i Kroacisë, Zoran Milanović, në Samitin e NATO-s që po mbahet në Turqi, komentoi armatosjen e Serbisë dhe përgjigjen e vendit që ai drejton ndaj këtij trendi, duke bërë edhe një deklaratë ironike drejtuar shtetit fqinj.

Siç tha Milanović, çështjen e armatosjes së Serbisë e përmendi edhe gjatë takimit të liderëve të vendeve anëtare të NATO-s.

“Përmenda atë që Serbia po bën kohët e fundit sa i përket armatosjes. Shpresoj të mos blejnë aeroplanmbajtëse me rrota, pasi nuk kanë det. Por pyetja që duhet bërë është: Për çfarë u duhen të gjitha këto? Raketat hipersonike janë vetëm një segment, ka edhe shumë gjëra të tjera dhe ne do të duhet të përgjigjemi duke zhvilluar edhe vetë aftësi të ngjashme. NATO duhet ta dijë këtë dhe është detyra ime ta them”, tha presidenti i Kroacisë.

Milanović komentoi gjithashtu samitin në përgjithësi, duke thënë se po flitet shumë pak për diplomacinë.

“Duhet të kemi parasysh se Rusia ka një potencial të madh bërthamor. Megjithatë, nuk besoj se do të guxonte të sulmonte vendet evropiane”, shtoi ai.

Ai tha gjithashtu se në takimin e liderëve të vendeve anëtare të NATO-s më i drejtpërdrejti ishte presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump.

“Në këtë format, më i sinqerti ishte Donald Trump. Ai vjen këtu si një tregtar armësh plotësisht i vendosur dhe në këtë kuptim përfaqëson interesat amerikane. Ai flet me respekt për Putinin dhe Xi-në, dhe edhe ata flasin për të në të njëjtën mënyrë. Liderët e tjerë përdorin një retorikë tjetër”, tha ai.

Milanović përsëriti edhe një herë se Kroacia nuk do të dërgojë ushtarë në Ukrainë dhe mbështeti idenë që ky vend të blejë një aeroplan transportues.

Kategoritë
LajmeRajoni