Në konferencën për media para ndeshjes kundër Argjentinës në Kupën e Botës në futboll, selektori i kombëtares së Egjiptit, Hossam Hassan, mbajti një fjalim që bëri jehonë shumë përtej fushave sportive.
Apeli i tij emocional për mbështetjen e popullit palestinez dhe kritika e ashpër ndaj indiferencës globale i sollën atij simpati të mëdha dhe një valë lavdërimesh në rrjetet sociale.
Duke folur në gjuhën arabe, Hassan e shfrytëzoi platformën globale të Kupës së Botës për të tërhequr vëmendjen ndaj vuajtjeve të përditshme të palestinezëve.
Ai kritikoi veçanërisht standardet e dyfishta dhe indiferencën globale, duke theksuar se opinioni publik shpesh mobilizohet për një kafshë të lënduar, ndërsa injorohen mijëra gra dhe fëmijë të vrarë.
“Nëse ekziston një person në botë që nuk ka dhembshuri për popullin palestinez, atëherë ai nuk është qenie njerëzore. Ju lutem, të gjithë sportistëve dhe profesionistëve të mediave, pavarësisht fesë dhe vendit, ndoshta përmes Kupës së Botës mund të dërgojmë një mesazh: lëreni popullin palestinez të jetojë. Ata nuk duan asgjë, vetëm të jetojnë”, tha ai.
Ky fjalim erdhi vetëm disa ditë pasi Hassan tërhoqi vëmendjen e opinionit botëror duke festuar fitoren e Egjiptit ndaj Australisë i mbështjellë me flamurin palestinez.
Ky gjest u përhap me shpejtësi në internet, ndërsa konferenca për media shërbeu si një konfirmim shtesë i qëndrimit të tij të vendosur.
Dalja e Hassanit u prit me miratim të gjerë në mbarë botën, veçanërisht në vendet arabe. Shumë komentues theksuan se sporti, si një fuqi globale, u shfrytëzua në mënyrën më të mirë të mundshme.
Presidenti i Federatës Palestineze të Futbollit, Jibril Rajoub, e falënderoi Hassanin në platformën X, duke e përshkruar qëndrimin e tij si humanitar dhe fisnik, si dhe duke lavdëruar solidaritetin e tij të sinqertë me popullin palestinez.
Sipas raportimeve të Al Jazeeras, banorët e Gazës kanë dërguar shumë video-mesazhe dhe fjalë falënderimi për selektorin egjiptian për daljen e tij të guximshme.
Shkrimtari palestinez Yasser Zaatreh tha se selektori arriti një famë më të madhe se vetë Kupa e Botës, duke shtuar se Hassan fitoi ndeshjen e humanizmit dhe të parimeve.
Egjipti u eliminua sonte në fazën e 1/8 së finales së Kupës së Botës, pas humbjes 2:3 ndaj Argjentinës.













