Zv/kryeministri kosovar Besnik Bislimi takohet me kryediplomatin grek Nikos Dendias

Gjatë takimit u biseduan marrëdhëniet Kosovë-Greqi dhe mundësitë e thellimit të tyre

Zv/kryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog i Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi, gjatë vizitës së tij zyrtare në Athinë, u prit në takim nga Ministri i Punëve të Jashtme të Greqisë, Nikos Dendias, transmeton Anadolu.

Siç njofton Qeveria e Kosovës, fillimisht zv/kryeministri Bislimi “përforcoi mesazhin e kryeministrit Kurti, në solidaritet dhe mbështetje të Kosovës ndaj Greqisë në këtë moment të vështirë pas aksidentit tragjik hekurudhor të ndodhur gjatë kësaj jave”.

Marrëdhëniet Kosovë-Greqi dhe mundësitë e thellimit të tyre u biseduan më tej gjatë takimit.

“Raportet e shkëlqyeshme ekzistuese mes vendeve tona mund të fuqizohen përmes bashkëpunimit në sfera të ndryshme me interes të përbashkët. Synimi ynë është të ndërtojmë ura bashkëpunimi dhe ndërveprimi me një vend mik dhe partner siç është Greqia”, theksoi Bislimi.

Tutje, zv/kryeministri Bislimi e informoi ministrin Dendias edhe mbi zhvillimet në lidhje me rrugëtimin e Kosovës në proceset e integrimit evropian dhe hapat e ndërmarra, si dhe me procesin e dialogut dhe takimin e fundit të mbajtur në Bruksel.

Zv/kryeministri Besnik Bislimi po qëndron për vizitë zyrtare në Athinë ku ka realizuar takime me zyrtarë qeveritarë dhe deputetë nga parlamenti grek.

Greqia është një nga pesë shtetet e Bashkimit Evropian që ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës.

Kategoritë
LajmeVendi