Rusia paralajmëroi mbylljen e Konsullatës së Përgjithshme të Gjermanisë në Shën Petersburg dhe të qendrave kulturore të Institutit Goethe në vend, si kundërpërgjigje ndaj vendimit të Gjermanisë për ta mbyllur Konsullatën e Përgjithshme ruse në Bon dhe për ta ndërprerë marrëveshjen për funksionimin e Shtëpisë Ruse në Berlin.
Ministria ruse e Punëve të Jashtme njoftoi se më 7 shtator të ngarkuarit me punë të Gjermanisë në Moskë iu dorëzua një notë diplomatike, përmes së cilës iu komunikuan masat e ndërmarra nga Moska.
Rusia e ka tërhequr pëlqimin për funksionimin e Konsullatës së Përgjithshme të Gjermanisë në Shën Petersburg.
Konsullata duhet ta ndërpresë punën më së largu deri më 18 shtator 2026, ndërsa personeli i saj duhet të largohet nga Rusia brenda të njëjtit afat.
Në të njëjtën kohë, Moska urdhëroi mbylljen e qendrave kulturore të Institutit Goethe në Rusi. Personeli i dërguar në këto qendra duhet të largohet nga vendi më së largu deri më 13 shtator.
Ministria ruse e Punëve të Jashtme deklaroi se bëhet fjalë për masa reciproke, të ndërmarra pas veprimeve të autoriteteve gjermane.
Çfarë i parapriu reagimit të Rusisë?
Në fillim të shtatorit, Gjermania paralajmëroi një sërë masash kundër Rusisë pas incidentit në aeroportin Leipzig/Halle.
Autoritetet gjermane pretendojnë se Rusia është përgjegjëse për një tentativë sulmi me dron, të kryer në fillim të gushtit pranë një avioni transportues ukrainas. Moska i hodhi poshtë këto akuza.
Si kundërpërgjigje, Berlini vendosi ta mbyllë Konsullatën e Përgjithshme ruse në Bon, ta ndërpresë marrëveshjen për funksionimin e Shtëpisë Ruse në Berlin, t’i ashpërsojë kontrollet e hyrjes për shtetasit rusë dhe të nisë masa shtesë kundër personave dhe strukturave që i konsideron të lidhura me veprimtarinë hibride ruse.
Ministri gjerman i Punëve të Jashtme, Johann Wadephul, deklaroi se Berlini nuk do ta lejonte Rusinë të kryente aktivitete të tilla pa marrë përgjigje nga Gjermania.
Moska tani është kundërpërgjigjur duke mbyllur konsullatën gjermane dhe institucionet kulturore.
Ministria ruse e Punëve të Jashtme vlerësoi se autoritetet gjermane kanë shkaktuar sërish një përshkallëzim të ri në marrëdhëniet dypalëshe dhe deklaroi se “përgjegjësia e plotë për pasojat bie tërësisht mbi qeverinë gjermane”.



















