Studim: Shkrirja e akullnajave mund të rrisë rrezikun e sëmundjeve te bletët.
Shkrirja e akullnajave mund të rrisë rrezikun e përhapjes së sëmundjeve mes bletëve të egra dhe bletëve të mjaltit, sipas një studimi të ri të udhëhequr nga studiues të Universitetit të Lozanës në Zvicër, transmeton Anadolu.
Shkencëtarë nga Universitetet e Lozanës dhe Milanos, si dhe organizata kërkimore italiane Crea, kanë studiuar popullatat e bletëve pranë akullnajës Mont-Mine në Val d’Herens. Ata kanë hetuar tri viruse dhe dy parazitë, sipas një raportimi të medias zvicerane SWI.
Zakonisht, bletët e egra dhe bletët e mjaltit priren të ushqehen me lloje të ndryshme bimësh. Kjo ndarje natyrore zvogëlon mundësinë që bletët të marrin patogjenë nga njëra-tjetra.
Por ndërsa akullnajat tërhiqen, ndryshimi i bimësisë po i sjell insektet së bashku për t’u ushqyer me të njëjtat bimë. Lulet mund të bëhen vatra infeksioni kur bletët e infektuara lënë pas patogjenë, të cilët më pas merren nga bletët e tjera.
Studiuesit kanë gjetur të pesë patogjenët te bletët e mjaltit në zonat ku vetëm së fundmi kanë mbetur pa akull. Në këto zona, te bletët e egra janë zbuluar vetëm dy prej tyre.
Në zonat ku akulli është shkrirë më herët, ku bimësia ka ndryshuar më ndjeshëm, virusi që shkakton deformimin e krahëve është bërë shumë më i përhapur te bletët e egra.
Studimi nxjerr në pah një pasojë më pak të dukshme të ndryshimeve klimatike, duke treguar se shkrirja e akullnajave mund të ndryshojë jo vetëm peizazhet, por edhe marrëdhëniet mes llojeve të ndryshme të gjallesave.















