Prokuroria në Mal të Zi hap rast ndaj mitropolitit Metodije për glorifikimin e kriminelit të luftës Mladić

Prokuroria e Lartë e Shtetit në Podgoricë ka hapur rast ndaj mitropolitit të Budimlës dhe Nikshiqit, Metodije, për shkak të glorifikimit të kriminelit të dënuar të luftës Ratko Mladić në Manastirin e Pivës.

Rasti ndaj mitropolitit Metodije është hapur nën dyshimin për veprën penale të nxitjes së urrejtjes kombëtare, racore dhe fetare.

“Ju njoftojmë se, pas verifikimit të të dhënave zyrtare të Prokurorisë së Lartë të Shtetit në Podgoricë, është konstatuar se ndaj mitropolitit të Budimlës dhe Nikshiqit, Metodije, është hapur rast për veprën penale të nxitjes së urrejtjes kombëtare, racore dhe fetare”, thuhet në përgjigjen e Prokurorisë për portalin Vijesti.me.

Metodije mbajti më 28 gusht një fjalim në Manastirin e Pivës, gjatë të cilit lartësoi figurën e Ratko Mladićit.

Ai deklaroi se populli te Mladići “kishte njohur të gjitha tiparet e mrekullueshme dhe të shenjta të luftëtarëve dhe kalorësve serbë”.

“Nëna e shenjtë e Zotit, Fjetjen e së cilës po e kremtojmë, le ta ngrejë edhe shpirtin e tij mes të gjithë kalorësve të shenjtë serbë, të gjeneralit të famshëm Ratko”, deklaroi Metodije.

Nga Dioqeza e Budimlës dhe Nikshiqit njoftuan gjithashtu se, pas përfundimit të liturgjisë, ishte mbajtur një shërbesë përkujtimore për, siç e quajtën ata, “shërbëtorin e sapondjerë të Zotit, gjeneralin Ratko Mladić”.

Kategoritë
LajmeRajoni