Evropa nuk beson më te mrekullitë amerikane: Strategjia ndryshon pas takimeve të pafrytshme në Moskë

Zyrtarët evropianë dhe amerikanë janë pajtuar me faktin se lufta e Rusisë në Ukrainë do të vazhdojë edhe gjatë vitit të ardhshëm, duke pranuar se nisma më e fundit amerikane për paqe nuk ka sjellë asnjë përparim te presidenti rus Vladimir Putin.

Sipas zyrtarëve evropianë, Putini synon t’i intensifikojë sulmet ndaj Ukrainës gjatë dimrit, duke vënë në provë jo vetëm qëndrueshmërinë e saj, por edhe vendosmërinë e aleatëve të Kievit.

Të dërguarit e presidentit amerikan Donald Trump, Jared Kushner dhe Steve Witkoff, nuk arritën përparim domethënës gjatë bisedimeve të fundjavës në Moskë dhe Kiev, bëjnë të ditur burime të njohura me zhvillimet.

Megjithatë, Putin dhe Trump zhvilluan të martën një bisedë telefonike njëorëshe. Këshilltari i Kremlinit për politikë të jashtme, Yuri Ushakov, e përshkroi bisedën si “konstruktive dhe mjaft të sinqertë”, ndërsa të dyja palët u pajtuan të mbeten në kontakt.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky, nga ana tjetër, shprehu shpresën se do të takohet me Trumpin në fund të shtatorit.

Zelensky paralajmëroi vazhdimin e bisedimeve me aleatët amerikanë dhe evropianë, duke theksuar se Ukraina dëshiron negociata të reja trepalëshe me Uashingtonin dhe Moskën gjatë vjeshtës.

Ultimatumet e Putinit dhe lojërat diplomatike

Presidenti rus vazhdon të këmbëngulë në marrjen nën kontroll të të gjithë rajonit lindor të Donetskut si kusht për përfundimin e luftës.

Ukraina i ka refuzuar disa herë këto kërkesa dhe ka propozuar ngrirjen e konfliktit përgjatë vijave aktuale të frontit, në mënyrë që të krijohen kushte për negociata.

Qëndrimi i Putinit ndaj delegacionit amerikan tregoi gjithashtu se ai nuk është i gatshëm për kompromis.

Në përpjekje për të demonstruar fuqinë e tij brenda vendit përpara zgjedhjeve parlamentare për Dumën Shtetërore, që do të mbahen nga 18 deri më 20 shtator, Putin i la të dërguarit amerikanë të prisnin deri në mbrëmje për fillimin e takimit.

Gjatë kësaj kohe, Kushner dhe Witkoff kaluan disa orë në drekë me të dërguarin rus Kirill Dmitriev, në një restorant të shtrenjtë në Moskë.

Edhe pse Witkoff deklaroi pas takimit me Zelenskyn se nga Moska kishin sjellë në Kiev “disa ide të reja të mira”, Rusia, pak pas mbërritjes së delegacionit amerikan në Ukrainë, i dha fund pauzës treditore dhe rifilloi sulmet me raketa.

Dimër i vështirë dhe përgjigjja evropiane

Plani rus për gjashtë muajt e ardhshëm parashikon intensifikimin e sulmeve ndaj infrastrukturës energjetike dhe të ngrohjes në Ukrainë, me synimin që jeta e civilëve të bëhet e padurueshme.

Gjithashtu planifikohen sulme hibride dhe ndërhyrje politike në Evropë, me qëllim dobësimin e mbështetjes për Kievin.

Putin llogarit se në pranverë do të ketë një pozicion më të fuqishëm negociues, ndërsa përpiqet ta mbajë në këmbë ekonominë e dëmtuar ruse.

Burimet vlerësojnë se, për këtë arsye, mundësitë për fillimin e negociatave serioze para vitit të ardhshëm janë të vogla.

Në përgjigje të këtyre kërcënimeve, vendet evropiane planifikojnë të blejnë sisteme amerikane të mbrojtjes ajrore Patriot, për ta ndihmuar Ukrainën t’i zmbrapsë sulmet e pritshme.

“Duhet të jemi të përgatitur për një konflikt afatgjatë dhe për faktin se nevojat e Ukrainës do të vazhdojnë edhe në muajt dhe vitet e ardhshme”, paralajmëroi Elbridge Colby, nënsekretari amerikan i Mbrojtjes.

Zelensky vazhdon të jetë jashtëzakonisht i kujdesshëm lidhur me rezultatin e këtyre bisedimeve, i vetëdijshëm se lufta nuk do të përfundojë shpejt dhe se Ukrainën e pret edhe një dimër shumë i vështirë.

Kategoritë
BotaLajme