Kreu i politikës së jashtme në Bundestag, Michael Roth, i kërkon BE-së t’i pezullojë negociatat e anëtarësimit me Serbinë

Kryetari i Komisionit për Politikë të Jashtme të Bundestagut, Michael Roth, njëherësh një nga politikanët më të njohur gjermanë nga radhët e Partisë Socialdemokrate (SPD), i bëri thirrje Bashkimit Evropian që t’i pezullojë negociatat e anëtarësimit me Serbinë.

Roth e publikoi thirrjen në llogarinë e tij zyrtare në platformën X, pasi krimineli i dënuar i luftës Ratko Mladić u varros në Beograd me organizim shtetëror dhe nderime ushtarake. Ceremonia nxiti reagime të reja për shkak të glorifikimit të Mladićit dhe gjenocidit për të cilin ai ishte dënuar.

Reagimi i Rothit erdhi pas deklaratës së presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, e cila tha se varrimi i Mladićit në Beograd ishte “në kundërshtim me vlerat mbi të cilat mbështetet rruga e Serbisë drejt BE-së”.

“Atëherë, le t’i pezullojmë negociatat e anëtarësimit. Serbia mund të marrë aq kohë sa i nevojitet për të vendosur nëse vërtet dëshiron një vend në zemër të BE-së”, deklaroi Roth.

Ai theksoi gjithashtu se, në vend që të përqendrohet te Serbia, Bashkimi Evropian mund t’u kushtojë më shumë vëmendje vendeve që dëshirojnë sinqerisht të bëhen pjesë e familjes evropiane.

“Ndërkohë, duhet të përqendrohemi tek ata në Ballkanin Perëndimor që duan seriozisht të jenë pjesë e ekipit tonë dhe ta përshpejtojmë anëtarësimin e tyre. Ata kanë pritur mjaftueshëm”, deklaroi Roth.

Michael Roth konsiderohet një nga politikanët gjermanë më aktivë dhe më të zëshëm për çështjet e Ballkanit Perëndimor. Edhe më parë ai ka kritikuar politikanët dhe qeveritë që, sipas tij, largohen nga vlerat evropiane.

Kategoritë
LajmeRajoni