Eksportet drejt vendeve të Bashkimit Evropian arritën në 32.5 milionë euro, duke përbërë 31.9 për qind të eksporteve të përgjithshme dhe duke shënuar rritje prej 17.7 për qind.
Tregtia e jashtme e mallrave në Kosovë ka vijuar me rritje të deficitit tregtar gjatë muajit qershor 2026, ku sipas të dhënave të publikuara nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK), deficiti arriti në 578.3 milionë euro, ose 16.1 për qind më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2025, kur ishte 498.3 milionë euro.
ASK ka bërë të ditur se gjatë muajit qershor, eksportet e mallrave u vlerësuan në 102.0 milionë euro, ndërsa importet arritën në 680.3 milionë euro. Krahasuar me një vit më parë, eksportet u rritën për 26.9 për qind, ndërsa importet për 17.6 për qind. Shkalla e mbulimit të importeve nga eksportet ishte 15 për qind.
Në strukturën e eksporteve dominojnë metalet bazë dhe produktet e tyre me 27.4 për qind të totalit. Pas tyre renditen ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani me 12.7 për qind, plastika, goma dhe produktet e tyre me 10.6 për qind, artikujt e ndryshëm të prodhuar me 8.7 për qind dhe produktet minerale me 7.1 për qind.
Sa u përket importeve, pjesën më të madhe e zënë produktet minerale me 15.2 për qind, makineritë dhe pajisjet mekanike e elektrike me 13 për qind, mjetet e transportit me 12 për qind, ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani me 11.9 për qind, si dhe metalet bazë me 9.8 për qind.
Eksportet drejt vendeve të Bashkimit Evropian arritën në 32.5 milionë euro, duke përbërë 31.9 për qind të eksporteve të përgjithshme dhe duke shënuar rritje prej 17.7 për qind. Gjermania vazhdon të jetë destinacioni kryesor i eksporteve të Kosovës në BE me 10.1 për qind, e ndjekur nga Holanda me 3.8 për qind dhe Italia me 3.1 për qind.
Nga ana tjetër, importet nga vendet e BE-së arritën në 304.9 milionë euro, ose 44.8 për qind të importeve totale, me një rritje prej 22.2 për qind. Peshën më të madhe e kanë importet nga Gjermania, Italia dhe Polonia.
Sipas ASK-së, eksportet drejt vendeve të CEFTA-s gjatë qershorit arritën në 44 milionë euro, ose 43.1 për qind të eksporteve të përgjithshme, duke shënuar rritje prej 19.3 për qind. Partnerët kryesorë për eksport ishin Maqedonia e Veriut me 16.7 për qind, Shqipëria me 14.3 për qind, Mali i Zi me 5.7 për qind dhe Serbia me 4 për qind.
Edhe importet nga vendet e CEFTA-s u rritën me 19.3 për qind, duke arritur në 98.7 milionë euro, që përfaqësojnë 14.5 për qind të importeve totale. Pjesëmarrjen më të madhe e kishin Maqedonia e Veriut me 5.4 për qind, Shqipëria me 4.8 për qind dhe Serbia me 3 për qind.
Eksportet e Kosovës drejt vendeve të tjera arritën në 25.5 milionë euro, ose 25 për qind të totalit. Në këtë grup, Zvicra mbetet partneri më i rëndësishëm me 10 për qind të eksporteve, e ndjekur nga Turqia me 5.4 për qind.
Ndërkohë, importet nga vendet jashtë BE-së dhe CEFTA-s kapën vlerën e 276.7 milionë eurove, ose 40.7 për qind të importeve të përgjithshme. Kina renditet partneri kryesor me 15.1 për qind të importeve në këtë kategori, ndërsa Turqia zë vendin e dytë me 11.6 për qind.














