Fuqizimi i gjigantit ushtarak: Turqia do t’i rrisë shpenzimet e mbrojtjes me 229 për qind deri në vitin 2029

Turqia planifikon që gjatë tri viteve të ardhshme t’i rrisë shpenzimet për mbrojtjen me 229 për qind, në kuadër të programit të ri ekonomik afatmesëm për periudhën 2027–2029.

Plani u prezantua gjatë paraqitjes së Programit të ri Afatmesëm, i cili përcakton udhërrëfyesin ekonomik të vendit për periudhën nga viti 2027 deri më 2029.

Zëvendëspresidenti i Turqisë, Cevdet Yılmaz, deklaroi se synimi është forcimi i teknologjive vendëse dhe prodhimi i produkteve me vlerë më të lartë të shtuar në industrinë e mbrojtjes.

“Në industrinë e mbrojtjes synojmë një Turqi që zhvillon teknologjinë e saj dhe prodhon produkte me vlerë të lartë të shtuar. Po i rrisim shpenzimet për mbrojtjen me 229 për qind”, deklaroi Yılmaz.

Sipas programit, kjo është rritja më e madhe ndër shtatë fushat prioritare të përcaktuara nga qeveria.

Në të njëjtën kohë, fondet për banimin social pritet të rriten me 150 për qind, për kërkimet minerare me 139 për qind, për infrastrukturën industriale me 54 për qind, për hekurudhat me 49 për qind, për shëndetësinë me 43 për qind dhe për sigurinë e furnizimit me ushqime me 42 për qind.

Portali i specializuar turk Envanter Medya raportoi se fondet shtesë mund të përdoren për mbështetjen e projekteve të mëdha ushtarake.

Në mesin e tyre përmenden prodhimi masiv i avionit luftarak TF-Kaan, dorëzimet e para të avionit luftarak pa pilot Bayraktar Kızılelma dhe furnizimi i Forcave Tokësore Turke me më shumë se dhjetë tanke Altay.

Duke folur për kontekstin më të gjerë, Yılmaz tha se proceset ekonomike, teknologjike dhe gjeopolitike po ndërlidhen gjithnjë e më shumë, ndërsa parashikueshmëria është më e ulët se më parë.

Ai shtoi se lufta me Iranin ka shkaktuar pasoja të drejtpërdrejta dhe të tërthorta në çmimet e energjisë dhe mallrave, tregtinë globale, pritshmëritë për inflacionin dhe parashikimet e rritjes ekonomike.

Sipas të dhënave të Institutit Ndërkombëtar të Stokholmit për Kërkime të Paqes, Turqia shpenzoi 30 miliardë dollarë për ushtrinë në vitin 2025, duke u renditur si shpenzuesja e 18-të më e madhe ushtarake në botë.

Këto shpenzime u rritën me 7,2 për qind krahasuar me vitin e kaluar, kryesisht për shkak të zhvillimit të industrisë vendëse të mbrojtjes dhe operacioneve në Irak, Somali dhe Siri.

Kategoritë
BotaLajme